Vendosni fjalën kyçe....

Anija me emigrantë rohinga fundoset në bregun e Malajzisë, qindra të zhdukur


Një anije që transportonte anëtarë të komunitetit Rohingya nga Mianmari është fundosur pranë kufirit Tajlandë-Malajzi, me qindra të zhdukur, 7 të vdekur dhe 13 të shpëtuar, tha të dielën agjencia detare malajziane.

Shpëtuesit po krehin një zonë prej 170 miljesh katrore detare pranë ishullit Langkaëi të shtunën, pasi një anije me 300 persona në bord u nis nga shteti Rakhine i Mianmarit tre ditë më parë, tha kreu i agjencisë detare për zonën, Romli Mustafa.

Shteti i varfër Rakhine i Mianmarit ka vuajtur prej vitesh nga konflikti, uria dhe dhuna etnike, duke shënjestruar kryesisht komunitetin minoritar mysliman Rohingya. Të dëbuar nga shteti Rakhine pas një goditjeje brutale ushtarake në vitin 2017, rreth 1.3 milionë Rohingya jetojnë si refugjatë në kampe të mbipopulluara në Bangladeshin fqinj.

Media shtetërore malajziane Bernama citoi shefin e policisë së provincës Kedah, Adzli Abu Shah, të thoshte se njerëzit fillimisht hipën në një anije të madhe nga Mianmari, por u udhëzuan të transferoheshin në tre varka më të vogla, secila duke transportuar rreth 100 persona, për të shmangur zbulimin teksa iu afruan Malajzisë, shkruan Reuters.

Statusi i dy varkave të tjera nuk dihej, dhe operacioni i kërkim-shpëtimit ishte ende duke vazhduar, tha ai.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, më shumë se 5,100 Rohingya kanë marrë anije për t’u larguar nga Mianmari dhe Bangladeshi midis janarit dhe fillimit të nëntorit të këtij viti, me afro 600 persona të raportuar të vdekur ose të zhdukur.