Vendosni fjalën kyçe....

PL kundër rritjes së çmimit të biletës në Kamëz: Vendim i dëmshëm për qytetarët, rëndon xhepat e tyre


Partia e Lirisë ka reaguar ndaj vendimit të Bashkisë Kamëz për rritjen me 10 lekë të çmimit të biletës së autobusit, nga 40 në 50 lekë, si dhe të abonesë mujore nga 1 200 në 1 400 lekë.

Përfaqësuesja e PL-së, Arla Merja, e cilësoi vendimin “të padrejtë, të pamenduar dhe thellësisht të dëmshëm” për qytetarët, të cilët sipas saj përballen çdo ditë me trafik, rrugë të dëmtuara dhe vonesa në transportin publik.

“Bashkia Kamëz së fundmi me anë të një vendimi të Këshillit Bashkiak ka vendosur rritjen e çmimit të biletës së autobusit nga 40 në 50 lekë, si dhe të abonesë mujore nga 1 200 në 1 400 lekë. Ky vendim është i padrejtë, i pamenduar dhe thellësisht i dëmshëm për qytetarët që përballen çdo ditë me çmime në rritje dhe shërbime publike që degradojnë nga dita në ditë”, tha Arla Merja.

Në një deklaratë nga selia, sekretarja për Marrëdhëniet me Publiku, Arla Merja denoncoi kushtet në transportin urban të bashkisë së Kamzës.

“Në vend që të përmirësojë cilësinë e transportit publik, Bashkia Kamëz ka zgjedhur të rëndojë mbi xhepat e qytetarëve. Autobusët që qarkullojnë në linjat Kamëz–Tiranë janë të amortizuar, shpesh pa ajër të kondicionuar, me ndenjëse të dëmtuara dhe kushte të papranueshme higjienike. Udhëtimi me to është lodhje dhe poshtërim për qytetarët që çdo mëngjes përpiqen të arrijnë në punë apo në shkollë.

Përveç kushteve të këqija, qytetarët përballen çdo ditë me vonesa të mëdha për shkak të trafikut galopant dhe mungesës së menaxhimit urban. Autobusët vijnë rrallë, shpesh plot përtej kapacitetit, dhe njerëzit detyrohen të udhëtojnë në këmbë, ngjeshur, në temperatura ekstreme. Këto nuk janë kushte për një qytet që pretendon të jetë pjesë e zhvillimit”, tha ajo.

Vendimi për rritjen e biletës nga 40 lekë në 50 lekë u mor nga Këshilli Bashkiak i Kamzës më 31 tetor, ndërsa çmimi i abonesë së përgjithshme është rritur nga 1400 lekë në 1600 lekë.