
Ish-kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ka deklaruar se nuk do ta takojë kurrë Ilir Metën në burg, edhe nëse ai do të përballet me një dënim të tillë.
E ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Kryemadhi tha se, ndonëse me Metën mund të takohet në raste familjare, si martesat e fëmijëve, ajo nuk është ende gati emocionalisht për të harruar atë që i ka ndodhur.
“Nuk do ta takoja Ilir Metën në burg. Kam thënë që do takohemi kur të martojmë fëmijët, kur të bëhemi gjyshër, por jo më herët. Nuk jam gati për t’u takuar me të, as emocionalisht, as për mënyrën si jam ndjerë. Mënyra si jam linçuar nga rrethi i tij dhe ai vetë më ka lënduar shumë,” tha Kryemadhi.
Ajo shtoi se ndonëse i ka falur të gjithë, nuk ka mundur ende të harrojë mënyrën si është trajtuar dhe presionin që, sipas saj, është ushtruar mbi familjen.
“Nuk do ta fal mënyrën si SPAK dhe mediat u përdorën kundër meje për thashetheme të pavërteta. I kam falur të gjithë, por nuk kam harruar tensionin dhe presionin që u ushtrua ndaj fëmijëve të mi,” u shpreh Kryemadhi.