
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar ashpër ndaj miratimit të ligjit për barazinë gjinore në Kuvend, duke e cilësuar atë si “një akt antikushtetues dhe antikombëtar që godet themelet e familjes shqiptare”.
Në një konferencë për shtyp, Blushi deklaroi se miratimi me 77 vota të deputetëve të mazhorancës përbën “një ligj të zi që shpërbën familjen”, ndërsa akuzoi se ai është “i imponuar nga mafia ndërkombëtare dhe Xhorxh Sorros”. Sipas tij, ligji synon të zëvendësojë konceptet tradicionale të nënës, babait, burrit dhe gruas me terma abstraktë që, siç tha, “cenojnë identitetin kombëtar dhe moralin shoqëror”.
Blushi e konsideroi ligjin antikushtetues, pasi “hap rrugën për njohjen e gjinisë jobiologjike dhe përfshin në sistemin arsimor edukimin transgjinor”, çka sipas tij shkel të drejtën e prindërve për edukimin moral të fëmijëve. “Ky ligj nuk bazohet në traditën morale të Shqipërisë dhe rrezikon të imponojë koncepte të huaja gjinore që nuk përputhen me Kushtetutën dhe me vlerat kombëtare”, u shpreh ai.
Kreu i grupit të PL-së njoftoi se partia e tij do të mbështesë çdo nismë për rrëzimin e ligjit, përfshirë apelimin në Gjykatën Kushtetuese dhe kërkesën për referendum popullor. Ai përshëndeti gjithashtu protestat e komuniteteve fetare dhe të “Koalicionit Shqiptar pro Familjes dhe Jetës”, duke i quajtur “një reagim të ndershëm në mbrojtje të vlerave tradicionale dhe të Kushtetutës”.
“Ne nuk jemi kundër askujt, por jemi me vendosmëri pro familjes, pro fëmijëve, pro nënës dhe babait, pro një rendi natyror që ka ndërtuar botën. Të sulmosh familjen me ligj do të thotë të sulmosh kombin”, përfundoi Blushi.