
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ashpër lidhur me skandalin e tunelit të Llogarasë dhe menaxhimin e buxhetit nga zv/kryeministrja Belinda Balluku. Në një intervistë për “News 24”, Tabaku deklaroi se Balluku, e pandehur aktualisht nga SPAK për këtë aferë, duhej të kishte dhënë dorëheqje, ndërsa kryeministri Edi Rama duhej ta kishte shkarkuar.
“Sapo u bë publike se Balluku është e pandehur në SPAK dhe menaxhon gjysmën e buxhetit shqiptar, duhet të kishte dhënë dorëheqje. Nëse jo nga ajo, kryeministri duhej ta shkarkonte,” tha Tabaku.
Deputetja demokrate theksoi se dosjet e skandalit të tunelit të Llogarasë dhe menaxhimi i parave publike nga zyrtarë të lartë të qeverisë nuk kanë prodhuar asnjë masë nga ana e autoriteteve, duke theksuar paradoksin se ish-zv/kryeministri është në kërkim ndërsa Balluku vazhdon të ushtrojë funksionin.
“Një bilanc i tillë nuk gjendet në asnjë qeveri tjetër në botë apo Evropë,” shtoi Tabaku, duke kërkuar përgjegjësi dhe veprime konkrete nga ekzekutivi.
Ky reagim vjen në një moment kur hetimet e SPAK-ut për tunelin e Llogarasë janë në zhvillim, ndërsa opozita akuzon qeverinë për mungesë transparence dhe llogaridhënie në menaxhimin e fondeve publike.