
Korrespondentja e BBC-së për “gjininë dhe identitetin” kërkoi të bllokonte reportazhin e një fushate që synonte të mbronte hapësirat vetëm për gratë, zbulon The Telegraph.
Megha Mohan, e cila e ka mbajtur rolin e specialistes që nga viti 2018, i dërgoi një email një bashkëpunëtori duke ngritur shqetësime rreth planeve të tyre për të filmuar një debat nga grupi Woman’s Place UK.
Në emailin e dërguar muaj pasi ajo filloi rolin e saj, Mohan shkruante: “Ka disa shqetësime nga LGBT+ për dhënien e një platforme këtij grupi, ata shihen si një organizatë më ekstreme që ne do ishim duke e legjitimuar.”
Në një email vijues, ajo shtoi: “Disa kontakte LGBT më kanë treguar për Woman’s Place dhe i kanë quajtur ata transfobë në të kaluarën.”
Woman’s Place UK u krijua në vitin 2017 nga një grup grash nga lëvizja e punës dhe sindikatat për të mbrojtur të drejtat e grave dhe për të ruajtur hapësirat dhe shërbimet vetëm për një gjini. Ajo u mbyll vitin e kaluar pasi deklaroi se i kishte arritur kryesisht qëllimet e saj origjinale.
Mbulimi i propozuar i BBC-së për grupin në 2018 nuk u publikua kurrë.
Ndërhyrja e Mohan u zbulua këtë javë pasi The Telegraph publikoi zbulime nga një memo e brendshme e rrjedhur e BBC-së që detajon raste të shumta të animit të dukshëm në transmetuesin publik britanik.
Letra prej 8,000 fjalësh iu dërgua anëtarëve të bordit të BBC-së nga Michael Prescott, një ish-këshilltar standardesh. Ai shkruante për “dëshpërimin e tij nga mosveprimi i ekzekutivit të BBC-së” mbi provat e përhapura të njwanshmërisë.
Më herët këtë javë, The Telegraph zbuloi se një dokumentar i Panorama kishte bashkuar pjesë të ndryshme të një fjalimi të Donald Trump dhe kishte bërë që të dukej sikur ai u kishte thënë mbështetësve të shkonin në Kapitol dhe të “luftonin si të çmendur” në ditën e trazirave mw 6 janar 2021.
Letra Prescott akuzoi gjithashtu korporatën për “censurë efektive” të raportimit të saj mbi çështjet trans, dhe shprehu shqetësime se BBC Arabic po minimizonte vuajtjen e izraelitëve në luftën me Hamasin.

Boris Johnson udhëhoqi thirrjet që Tim Davie, drejtori i përgjithshëm i BBC-së, të “shpjegojë ose të japë dorëheqjen” mbi skandalin që po përfshin transmetuesin. Ish-kryeministri tha se BBC “është kapur në flagrancë në akte të shumta të njwnashmwrisw majtas.”
Dosja e rrjedhur përfshin pretendime se mbulimi i saj trans ishte i anshëm drejt historive që “festonin përvojën trans pa ekuilibrin ose objektivitet të duhur”.
Ajo pretendon se mbulimi trans i BBC-së është subjekt i “censurës efektive” nga reporterët specialistë LGBT që refuzojnë të mbulojnë histori kritike ndaj gjinisë.
Debati rreth të drejtave të transgjinorëve dhe dhënies së ndërhyrjeve mjekësore të pakthyeshme fëmijëve, si bllokuesit e pubertetit, ka qenë një nga çështjet më të ngarkuara në politikë, shoqëri dhe mjekësi në vitet e fundit.
Mohan ishte një nga gazetaret e para të punësuara nga BBC për të raportuar posaçërisht mbi seksualitetin dhe gjininë. Ajo është një korrespondente e Shërbimit Botëror që raporton kryesisht histori globale.
Një burim i BBC-së tha se ajo nuk punon për redaksinë e lajmeve vendase apo qendrore të BBC-së dhe nuk ka fuqinë për të porositur apo anuluar histori nga gazetarë të tjerë.
Ajo u emërua së bashku me Ben Hunte, i cili u bë “korrespondent LGBT”. Dyshja ka raportuar gjerësisht mbi çështjet transgjinore, në raste të shumta duke u fokusuar në përvojën transgjinore ose duke detajuar abuzimin që komuniteti vuante.
Mohan intervistoi ushtarë transgjinorë të ndaluar nga ushtria amerikane, ndërsa Hunte shkroi për pritjet “shqetësuese” për fëmijët që kërkonin trajtim të ndryshimit të gjinisë në klinikën e diskutueshme të gjinisë Tavistock.

The Telegraph nuk mundi të gjente shembuj që dyshja të kishte shkruar artikuj që fokusoheshin te njerëzit që kishin ndryshuar gjininë ose që shprehnin shqetësime rreth grave transgjinore që përdorin hapësira vetëm për femra.
Në një incident në vitin 2021, Mohan postoi nw X duke lavdëruar një histori online rreth një adoleshenti transgjinor. Edwina Wolstencroft, një ish-redaktore e BBC Radio 3, iu përgjigj postimit, duke i bërë thirrje Mohan të bënte një “histori rreth një personi që ka ndryshuar gjininë” për “balancë/paanshmëri”.
Ajo e fshiu postimin pesë ditë më vonë, por Wolstencroft u ankua në BBC se komenti ishte shpifës.
Njësia Ekzekutive e Ankesave të BBC-së (ECU) e mbështeti ankesën, duke vendosur se postimi i Mohan shkelte udhëzimet e mediave sociale të BBC-së, të cilat ndalojnë stafin të postojë “komente ose përmbajtje fyese ose degraduese në mediat sociale”.
ECU tha se gjetja e saj i ishte raportuar drejtorisw së Shërbimit Botëror të BBC-së dhe ishte diskutuar me Mohan.
Mohan ende punon si korrespondente e BBC-së për gjininë dhe identitetin, ndërsa Hunte u largua nga BBC në vitin 2021 dhe tani është prezantues i CNN në Shtetet e Bashkuara.
Mohan u kontaktua për koment, por nuk u përgjigj.
Hunte këmbënguli se “raportimi i tij fitues i çmimeve në BBC iu nënshtrua një rishikimi rigoroz redaksional dhe ligjor”, duke thënë se “ai u transmetua kryesisht në TV dhe radio”. Ai shtoi se nuk e kishte parë memorandumin e rrjedhur të zbuluar nga The Telegraph këtë javë dhe prandaj nuk ishte i sigurt nëse puna e tij ishte vënë në dyshim.
“Ka shumw reporterë LGBTQ në BBC dhe është e paqartë nëse raporti i referohet punës sime. Unë nuk e kam parë atë,” tha ai.
Një zëdhënës i BBC-së tha: “Ndërsa ne nuk komentojmë mbi dokumentet e rrjedhura, kur BBC merr reagime, i merr ato seriozisht dhe i shqyrton me kujdes.”
“Ne kemi ndërmarrë një numër veprimesh në lidhje me raportimin tonë mbi seksin dhe gjininë, përfshirë përditësimin e stilit të lajmeve dhe ndarjen e udhëzimeve të reja, duke e bërë redaktorin tonë të çështjeve sociale përgjegjës për këtë mbulim, dhe aty ku ka pasur shqetësime rreth historive të veçanta, ne i kemi adresuar ato. Ne vazhdimisht rishikojmë mbulimin tonë për të pasqyruar zhvillimet si vendimi i fundit i Gjykatës Supreme.”
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e The Telegraph
