
Izraeli ka intensifikuar goditjet ajrore ndaj objektivave të Hezbollahut në jug të Libanit, mes shqetësimeve në rritje në Bejrut për një përshkallëzim të ri të konfliktit.
Ushtria izraelite (IDF) njoftoi se një dron goditi një qendër të njësisë ndërtimore të Hezbollahut pranë qytetit bregdetar të Tirit, e cila sipas saj përdorej për prodhimin e pajisjeve që ndihmonin në rindërtimin e infrastrukturës militante të shkatërruar më herët nga operacionet izraelite.
Sipas mediave arabe, objektivi ishte një kompleks që përfshinte “punëtori hekuri dhe pluhuri druri”, ku nga sulmi mbeti i vrarë një person dhe u plagosën tre të tjerë. IDF bëri të ditur se operacioni u drejtua nga Komanda Veriore e ushtrisë dhe se “aktivitetet e Hezbollahut në vendin e goditur përbënin shkelje të marrëveshjeve midis Izraelit dhe Libanit”.
“Ushtria izraelite do të vazhdojë të veprojë për të eliminuar çdo kërcënim ndaj shtetit të Izraelit,” shtoi njoftimi, përcjell Ynet.
Bashkia e qytetit Kiryat Shmona, pranë kufirit verior të Izraelit, paralajmëroi banorët se mund të dëgjonin shpërthime pas sulmeve, por siguroi se “në këtë fazë nuk ka ndikim në zonat civile dhe nuk ka udhëzime të veçanta sigurie.”
Sulmet ndodhën në një moment delikat për qeverinë libaneze, ndërsa ushtria e vendit po përgatitet të paraqesë raportin e dytë mbi procesin e konsolidimit të armëve nën kontrollin e shtetit, një kërkesë e hershme e Rezolutës 1701 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila i dha fund luftës Izrael-Hezbollah të vitit 2006. Mbledhja u kryesua nga presidenti Joseph Aoun.
Ministri i Informacionit, Paul Morcos, kishte njoftuar në shtator se ushtria do të dorëzonte raporte mujore për çarmatimin, por deri më tani është paraqitur vetëm një raport.
Ndërkohë, mediat libaneze dhe arabe kanë theksuar pasigurinë mbi atë nëse incidentet e fundit kufitare paralajmërojnë një përshkallëzim të ri ushtarak apo nisin fazën e mundshme të bisedimeve të tërthorta me Izraelin.
Pyetjet kryesore lidhen me atë nëse Libani do të pranojë negociata direkte ose të ndërmjetësuara dhe në çfarë formati.
Në një deklaratë drejtuar presidentit Aoun, kreut të parlamentit Nabih Berri dhe kryeministrit Nawaf Salam, Hezbollahu tha se Libani “është përqendruar në ndalimin e agresionit në përputhje me deklaratën e armëpushimit dhe në ushtrimin e presionit ndaj Izraelit që të respektojë atë”.
Grupi theksoi se “nuk do të pranojë shantazh apo të përfshihet në negociata politike me Izraelin”, duke i cilësuar këto si “kërcënim për sovranitetin dhe interesat kombëtare të Libanit.”
Hezbollahu përsëriti “të drejtën legjitime për t’iu rezistuar pushtimit dhe agresionit”, duke theksuar se veprimet e tij janë mbrojtëse.
Deklarata erdhi një javë pasi presidenti Aoun kishte urdhëruar komandantin e ushtrisë, gjeneral Rudolph Heikal, që “të përballet me çdo inkursion izraelit në tokat e çliruara të jugut të Libanit”, pas raportimeve se një punëtor lokal ishte vrarë gjatë aktivitetit ushtarak izraelit në fshatin Blida.
Burime ushtarake për “Al Arabiya” thanë se raporti i ri i ushtrisë libaneze përfshin detaje të planit të saj për vendosjen e trupave në jug të lumit Litani, me fazën e parë që pritet të përfundojë deri në fund të vitit.
Një fazë e dytë, që do të shtrihet në veri të lumit, do të varet nga zhvillimet politike dhe vendimet mbi negociatat me Izraelin.
Burime të afërta me Hezbollahun pohuan për të njëjtin medium se grupi mbështet planin e ushtrisë dhe mban koordinim të rregullt me forcat e armatosura libaneze, duke preferuar një qasje të ngjashme me bisedimet e mëparshme për kufirin detar me Izraelin, të cilat u zhvilluan përmes ndërmjetësimit ndërkombëtar.
Gazeta “Al-Araby Al-Jadeed” citoi një burim ushtarak që tha se raporti i ardhshëm do të theksojë progresin në sekuestrimin e armëve, çmontimin e bazave ushtarake dhe mbylljen e tuneleve, duke zbuluar mbi dhjetë depo armësh që nga shtatori.
Sipas burimit, pengesa kryesore mbetet “prania e vazhdueshme izraelite në disa pjesë të territorit jugor libanez.”
Burime parlamentare nga Hezbollahu thanë se grupi “mbështet plotësisht planin e ushtrisë” dhe “ndihmon në zbatimin e tij.”
Burime qeveritare në Bejrut shtuan se politika për kufizimin e armëve vetëm te shteti “mbetet në fuqi”, ndërsa negociatat me Izraelin “synojnë t’i japin fund okupimit”, por “agresioni izraelit duhet të ndalet i pari.”
Një zyrtar i Hezbollahut tha se grupi “nuk kërkon luftë, por kërkon që Izraeli të përmbushë angazhimet e tij”, duke shtuar se “Libani nuk mund të nënshtrohet përmes forcës apo presionit.”
Presidenti Aoun deklaroi më herët këtë javë se “Libani nuk ka zgjedhje tjetër veç negociatave”, duke theksuar: “Në politikë ekzistojnë tre mjete – diplomacia, ekonomia dhe lufta. Kur lufta nuk çon askund, mbeten negociatat. Dhe negociatat nuk bëhen me mik apo aleat, por me armik.”