Vendosni fjalën kyçe....

Franca nis pezullimin e Shein për kukullat seksi


Fanca nisi të mërkurën procedurat për të pezulluar shitësin online të veshjeve, Shein, pasi në faqen e saj u gjetën duke u shitur kukulla seksi me pamje fëmijërore dhe armë, duke dëmtuar hapjen e dyqanit të parë të kompanisë kineze në një qendër tregtare në Paris.

Zbulimi i kukullave në faqen e internetit të Shein nga organi i mbikëqyrjes së konsumatorëve në Francë të shtunën ndezi zemërimin dhe rriti presionin ndaj Shein, e cila tashmë ishte nën kritika për dyqanin e saj.

“Me udhëzimet e kryeministrit, qeveria po nis procedurat për të pezulluar Shein për aq kohë sa është e nevojshme që platforma t’u tregojw autoriteteve se i gjithë përmbajtja e saj është përfundimisht në përputhje me ligjet dhe rregulloret tona,” tha ministria e financave në një deklaratë.

Shein tha se ndëshkoi shitësit e kukullave, zbatoi një ndalim mbarëbotëror të kukullave seksi në faqen e saj dhe vendosi në mënyrë të pavarur të pezullonte përkohësisht tregun e saj në Francë për të “shqyrtuar dhe forcuar” mënyrën se si operojnë shitësit e palës së tretë në faqe.

Faqja e internetit e Shein shet si veshjet e markës së saj, për të cilat njihet më shumë, ashtu edhe një gamë të gjerë prodhimesh nga shitës të palëve të treta në tregun e saj.

Ministria e financave tha se do pezullonte të gjithë faqen e internetit të Shein në Francë, jo vetëm tregun, nëse vijojnë të gjenden për shitje prodhime të ndaluara.

Ministrja e Dixhitalizimit, Anne le Henanff, i kërkoi Komisionit Evropian të fillojë një hetim mbi praktikat e Shein, tha ministria e financave.

Komisioni Evropian kontaktoi Shein të mërkurën në lidhje me këtë çështje, tha një zëdhënës, por nuk ka hapur një hetim formal, shkruan Reuters.