
Këshilli Kombëtar i Sigurisë i Belgjikës do të mblidhet urgjentisht të enjten, pasi shfaqja e disa dronëve në aeroporte ka shkaktuar kaos në udhëtime dhe ka ngritur shqetësime të thella për sigurinë kombëtare, përcjell Guardian.
Të martën në mbrëmje, fluturimet në aeroportin më të ngarkuar të vendit, atë të Brukselit, u pezulluan për disa orë, duke çuar në anulimin e dhjetëra udhëtimeve. Ndërkohë, hapësira ajrore mbi aeroportin e Lièges, një nyje e rëndësishme për transportin e mallrave, u mbyll gjithashtu, duke shkaktuar vonesa dhe devijime të shumta.
Në të njëjtën ditë, në bazën ajrore ushtarake Schaffen, pranë qytetit Diest, policia dhe ushtria raportuan se kishin parë katër dronë që fluturonin mbi zonën ushtarake.
Këto incidente vijnë pas hetimeve për shfaqje të ngjashme dronësh gjatë fundjavës, përfshirë bazën Kleine-Brogel, pranë kufirit me Holandën — e njohur si vendstrehim i avionëve F-16 dhe si depo e mundshme e armëve bërthamore amerikane.
Ministri belg i Mbrojtjes, Theo Francken, tha para parlamentit se incidentet duket të jenë të koordinuara, me dronë të mëdhenj që fluturojnë në formacione, dhe mund të përbëjnë një formë të luftës hibride.
“Nuk bëhet fjalë për dikë që po fluturon rastësisht një dron mbi një bazë apo aeroport. Ka shumë tregues që kjo është organizuar në mënyrë të strukturuar,” deklaroi Francken.
Sipas burimeve të cituara nga agjencia Belga, shërbimet e sigurisë belge dyshojnë se pas incidenteve mund të qëndrojë një shtet, shumë ndoshta Rusia.
Tensionet mes Belgjikës dhe Rusisë janë rritur javët e fundit, sidomos pasi Belgjika bllokoi një plan të BE-së për dhënien e një huaje prej 140 miliardë eurosh Ukrainës, bazuar në asetet ruse të ngrira në Bruksel.
Në shenjë përshkallëzimi verbal, ish-presidenti rus Dmitry Medvedev e quajti ministrin belg të mbrojtjes “idiot”, pasi ky i fundit kishte deklaruar se “nuk shqetësohej për një sulm bërthamor rus mbi Brukselin, sepse NATO do ta rrafshonte Moskën”.
Ministri i Brendshëm belg, Bernard Quentin, tha se përsëritja e këtyre incidenteve me dronë “prek drejtpërdrejt sigurinë e vendit” dhe kërkoi që reagimi të jetë “i qetë, serioz dhe i koordinuar”.
Ndërkohë, aeroporti i Brukselit paralajmëroi pasagjerët për vonesa të mundshme edhe të mërkurën, pasi rreth 95 fluturime u anuluan dhe 400 deri në 500 persona kaluan natën në aeroport për shkak të situatës.
Autoritetet belge nuk kanë konfirmuar ende origjinën e dronëve, por po punojnë me agjencitë e sigurisë dhe NATO-n për të hetuar incidentet që janë cilësuar si një kërcënim i ri ndaj sigurisë evropiane.