Vendosni fjalën kyçe....

Balla – opozitës: Keni vite që këndoni të njëjtën këngë, asnjë provë për 40 ankesat zgjedhore


Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar ndaj akuzave të opozitës për zgjedhjet e 11 majit, duke theksuar se asnjë nga mbi 40 ankesat e depozituara nga Partia Demokratike nuk është mbështetur me prova në Kolegjin Zgjedhor.

Në fjalën e tij në Kuvend, Balla tha se raporti i OSBE-ODIHR do të diskutohet në një seancë të posaçme, ndërsa progres-raporti i BE-së për vitin 2025 do t’i dorëzohet zyrtarisht Kuvendit të hënën.

“Katër muaj me radhë u shqyrtuan të gjitha ankesat dhe siç po t’i lexoni vendimet e kolegjit zgjedhor, në asnjë prej rasteve nuk u dha asnjë provë. Keni vite që këndoni të njëjtën këngë” – tha Balla.

Ai iu referua edhe çështjes së patronazhistëve dhe kallëzimeve për diasporën, duke theksuar se SPAK nuk gjeti shkelje dhe opozita nuk e ankimoi vendimin.

Balla kërkoi distancim nga sulmet ndaj ambasadorit të BE-së, duke i cilësuar si të dëmshme për imazhin e opozitës dhe për procesin e integrimit.

“Sulmet kundër ambasadorëve historikisht i kanë bërë dëm Partisë Demokratike. Shqipëria ka bërë progres të paprecedent dhe është vlerësuar maksimalisht për administratën publike nga Brukseli” – tha ai.

Duke krahasuar ecurinë e Shqipërisë me Malin e Zi, Balla u shpreh se të dy vendet do të anëtarësohen në Bashkimin Europian në të njëjtën ditë, pavarësisht se dikur Shqipëria ishte 12 vjet pas.

“Shqipëria dhe Mali i Zi do të hyjnë në BE në të njëjtën ditë. Reforma në administratën publike na ka dhënë notën më të lartë në rajon” – përfundoi Balla.