Vendosni fjalën kyçe....

Austria zbulon një depo armësh të Hamasit që synonte objektiva hebraike e izraelite në Evropë


Shërbimet e inteligjencës austriake kanë zbuluar në Vjenë një depo armësh të lidhur me grupin palestinez Hamas, që besohet se ishte përgatitur për “sulme të mundshme terroriste në Evropë”, njoftoi të enjten qeveria e Austrisë.

Sipas Ministrisë së Brendshme, një shtetas britanik 39-vjeçar, i cili dyshohet se kishte “lidhje të ngushta me depon e armëve”, u arrestua në Londër të hënën, në kuadër të një hetimi të gjerë ndërkombëtar kundër një organizate terroriste me lidhje me Hamasin, përcjell Ynet.

“Bazuar në gjendjen aktuale të hetimeve, duket se objektivat e mundshëm të këtyre sulmeve do të ishin institucione izraelite ose hebraike në Evropë,” thuhet në deklaratën e ministrisë.

Depoja e armëve dhe arrestimi janë pjesë e një hetimi të koordinuar midis Drejtorisë së Sigurisë Shtetërore dhe Shërbimit të Inteligjencës të Austrisë (DSN) dhe autoriteteve të tjera të sigurisë evropiane.

Sipas hetuesve, ekziston “dyshimi se një grup ka futur armë në Austri me qëllim përdorimin e tyre në sulme të mundshme terroriste në Evropë.”

Prokuroria Federale e Gjermanisë identifikoi të enjten të arrestuarin si Mohammed A., sipas rregullave të privatësisë, dhe bëri të ditur se ai ishte takuar dy herë me Abdel Al G., i arrestuar muajin e kaluar në Gjermani për dyshime se planifikonte sulme kundër institucioneve izraelite dhe hebraike në territorin gjerman.

Sipas prokurorisë, gjatë këtyre takimeve, Mohammed A. mori pesë armë zjarri dhe municion nga Abdel Al G., të cilat më pas i transportoi në Austri dhe i magazinoi në Vjenë,” thuhet në deklaratë. “Këto veprime shërbenin për përgatitjen e sulmeve terroriste ndaj institucioneve izraelite ose hebraike në Gjermani.”

Prokuroria shtoi se pas ekstradimit nga Britania e Madhe, i dyshuari do të paraqitet para një gjykatësi hetues në Gjykatën Federale të Drejtësisë në Gjermani.

Depoja e armëve u zbulua në një valixhe të fshehur në një njësi magazinimi të marrë me qira në Vjenë dhe përmbante pesë pistoleta dhe dhjetë karikatorë.

Në një reagim, ministri i Brendshëm austriak, Gerhard Karner, tha: “Rasti aktual tregon edhe njëherë se Drejtoria për Siguri Shtetërore dhe Inteligjencë ka një rrjet të shkëlqyer ndërkombëtar dhe vepron me vendosmëri kundër çdo forme ekstremizmi. Misioni ynë është i qartë: tolerancë zero ndaj terroristëve.”

Ndërkohë, Agjencia Kombëtare e Krimit e Britanisë (NCA) konfirmoi arrestimin e 39-vjeçarit në qendër të Londrës nga Njësia Kombëtare e Ekstradimeve, duke shtuar se ai do të qëndrojë në paraburgim deri në paraqitjen e tij të ardhshme në Gjykatën e Magjistratëve të Westminsterit të hënën.

Hamas e ka mohuar lidhjen me personat e arrestuar muajin e kaluar në Gjermani, duke i quajtur akuzat “të pabazuara”.

Megjithëse grupi ka kryer qindra sulme ndaj civilëve izraelitë ndër vite, ai rrallë ka vepruar jashtë Izraelit dhe territoreve palestineze.