Vendosni fjalën kyçe....

Astronomët vënë në dyshim teorinë fituese të Nobelit, zgjerimi i universit mund të jetë duke u ngadalësuar



Një ekip astronomësh ka hedhur dyshime mbi teorinë fituese të Çmimit Nobel për Fizikë në vitin 2011, sipas së cilës universi po zgjerohet me shpejtësi gjithnjë e më të madhe. Sipas studimit të ri, zgjerimi mund të jetë ngadalësuar, çka do të ndryshonte rrënjësisht mënyrën se si kuptohet e ardhmja e kozmosit, përcjell Guardian.

Nëse këto gjetje konfirmohen, universi nuk do të zgjerohet përgjithmonë, por mund të përfundojë në një “Big Crunch”– një kolaps gjigant ku gjithçka do të kthehej sërish në një pikë të vetme, në të kundërtën e “Big Bang”-ut.

“Studimi ynë tregon se universi tashmë ka hyrë në një fazë të zgjerimit të ngadalësuar dhe se energji e errët evoluon me kalimin e kohës shumë më shpejt nga sa mendohej më parë,” tha profesori Young-Wook Lee nga Universiteti Yonsei në Korenë e Jugut, i cili udhëhoqi kërkimin. “Nëse këto rezultate vërtetohen, do të shënonin një ndryshim paradigme në kozmologji që prej zbulimit të energjisë së errët 27 vjet më parë.”

Zbulimi fillestar i energjisë së errët, i bërë në fund të viteve 1990 përmes vëzhgimeve të supernovave të tipit 1a, çoi në përfundimin se universi po zgjerohej me shpejtësi në rritje. Këto shpërthime yjore u përdorën si “qirinj standardë”, meqë besohej se ndriçimi i tyre ishte uniform dhe mund të shërbente për të matur distancat kozmike.

Por studimi i ri sugjeron se supernovat e hershme ishin natyrshëm më të zbehta, për shkak të ndryshimeve në përbërjen e yjeve të universit të hershëm. Duke korrigjuar këtë paragjykim sistematik, shkencëtarët dolën në përfundimin se universi vazhdon të zgjerohet, por me ritëm më të ngadaltë, ndërsa energji e errët po dobësohet.

Nëse kjo forcë misterioze vazhdon të bjerë deri në vlera negative, universi mund të përfundojë duke u tkurrur, duke shënuar fillimin e një “Big Crunch”-i.

Profesori Carlos Frenk, kozmolog në Universitetin e Durhamit, e cilësoi studimin si “të guximshëm dhe intrigues”:

“Është shumë interesant, provokues dhe mund të rezultojë i gabuar – por nuk mund ta injorosh. Ata kanë paraqitur rezultate intriguese me pasoja shumë të thella,” tha ai.

Këto zbulime vijnë ndërsa konsorciumi ndërkombëtar DESI kishte arritur në përfundime të ngjashme më herët këtë vit, duke ndezur një debat të ri në komunitetin shkencor mbi naty­rën e energjisë së errët dhe fatin përfundimtar të universit.