Vendosni fjalën kyçe....

Aksionerët e Teslës miratojnë paketën historike prej 1 trilion dollarësh për Elon Musk



Aksionerët e kompanisë Tesla kanë votuar në favor të një pakete kompensimi prej 1 trilion dollarësh për CEO-n Elon Musk, duke e bërë atë planin më të madh të pagesës ekzekutive në histori, përcjell Fox News.

Në mbledhjen vjetore të kompanisë në Austin, Teksas, 75% e aksionerëve votuan pro paketës së re, e cila u propozua në shtator. Sipas planit, Musk do të marrë deri në 12% të aksioneve të Tesla-s, me vlerë rreth 1 trilion dollarë, nëse kompania arrin një kapitalizim tregu prej 8.5 trilion dollarësh dhe objektiva të caktuara operacionale brenda dhjetë vjetëve.

Aktualisht, Tesla ka një vlerë tregu prej 1.45 trilion dollarësh, ndërsa Musk zotëron rreth 13% të aksioneve ekzistuese.

Vendimi vjen mes pasigurisë ligjore për paketën e mëparshme prej 56 miliardë dollarësh që Musk mori në vitin 2018, e cila u anulua nga një gjykatës në Delaware në janar 2024 dhe është ende në proces gjyqësor.

“I falënderoj sinqerisht të gjithë ata që e mbështetën këtë vendim,” tha Musk, duke shtuar me humor se “mbledhjet e aksionerëve të Tesla-s nuk janë kurrë të mërzitshme.”

Kryetarja e bordit, Robyn Denholm, kishte paralajmëruar më herët se Tesla rrezikon të humbasë Musk nëse paketa e tij e pagës nuk miratohet.

“Duam të mbajmë Elon si CEO dhe ta motivojmë ta çojë Tesla-n drejt të qenit ofruesi kryesor i zgjidhjeve autonome,” shkroi Denholm në një letër drejtuar aksionerëve.

Ajo shtoi se mungesa e një plani të drejtë shpërblimi mund të çojë që Musk “të heqë dorë nga pozicioni ekzekutiv”, gjë që do të ishte një humbje për kompaninë.

Megjithëse shumica e aksionerëve votuan pro, disa investitorë të mëdhenj shprehën kundërshtim.

Fondi sovran i Norvegjisë, Norges Bank Investment Management, që është investitori i gjashtë më i madh i jashtëm i Tesla-s, votoi kundër, duke thënë se është i shqetësuar për “madhësinë e çmimit, rrezikun e varësisë nga një person i vetëm dhe efektin e hollimit të aksioneve”.

Edhe firmat këshilluese Glass Lewis dhe ISS i kërkuan aksionerëve të refuzonin planin.

Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që aksionerët e Tesla-s mbështesin një pagesë të madhe për Musk — vitin e kaluar ata miratuan rikthimin e paketës prej 56 miliardë dollarësh të vitit 2018, me 77% të votave në favor.

Aksionet e Tesla-s janë rritur me mbi 17% këtë vit, duke reflektuar besimin e tregut në kompaninë e drejtuar nga Musk.