
Kompania shtetërore “Kayo” do prodhojë armë, veshje, pajisje teknologjike e mjete sigurie për ushtrinë, policinë e gardën.
Vendimi u mor ditën e sotme në mbledhjen e qeverisë dhe i hap rrugën kompanisë dhe subjekteve të krijuara prej saj.
““KAYO”, ose subjektet e tjera të krijuara prej saj, të realizojë prodhimin dhe tregtimin e armëve ose të pjesëve të tyre, municioneve, teknologjive, pajisjeve, veshjeve dhe mjeteve, të prodhuara apo të përshtatura në territorin e Republikës së Shqipërisë, apo shërbime për t’u përdorur nga strukturat e sigurisë, organet e varësisë së strukturave të sigurisë apo shoqërive aksionare shtetërore të krijuara nga këto struktura sigurie”,- thuhet në VKM.
Vendimi parashikon se në rastet kur “Kayo” nuk i plotëson dot nevojat, atëherë autoritet çelin tendera për furnizimin me materialet e kërkuara, shkruan Shqiptarja.
“Në rastet kur shoqëria aksionare shtetërore “KAYO”, sh.a., shprehet se nuk mund të furnizojë autoritetet kërkuese, në përputhje me specifikimet teknike apo projektin e parashturar, autoritetet kërkuese vijojnë me realizimin e prokurimit, sipas kuadrit ligjor në fuqi për prokurimin publik ose prokurimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë”,- thuhet në VKM.