Vendosni fjalën kyçe....

Shefi i NATO-s: Tërheqja e trupave amerikane nuk dobëson mbrojtjen e krahut lindor



Shefi i NATO-s, Mark Rutte, dhe presidenti rumun, Nicușor Dan, kanë deklaruar se tërheqja e pjesshme e trupave amerikane nga Rumania nuk përbën shqetësim për sigurinë e vendit apo të krahut lindor të aleancës, përcjell Euronews.

Gjatë një konference për shtyp në Bukuresht të mërkurën, Rutte tha se ndryshimet në pozicionimin e forcave amerikane “nuk janë të pazakonshme”, duke theksuar se angazhimi i SHBA ndaj mbrojtjes së Evropës mbetet i fortë.

“Edhe me këtë rregullim, prania e forcave amerikane në Evropë është më e madhe se në shumë vite. Ka ende shumë më tepër trupa amerikane në kontinent se sa para vitit 2022,” u shpreh Rutte.
“Mendoj se po i japim pak më shumë rëndësi sesa duhet këtij ndryshimi,” shtoi ai.

Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara njoftuan se do të tërheqin një brigadë rotuese nga Rumania dhe nuk do ta zëvendësojnë atë, duke e cilësuar këtë si “një shenjë pozitive të rritjes së kapaciteteve dhe përgjegjësisë evropiane”.

Sipas Pentagonit, SHBA-të vazhdojnë të kenë mes 80,000 dhe 100,000 trupa të dislokuara në Evropë, në varësi të operacioneve dhe stërvitjeve, dhe mbeten të afta të përmbushin të gjitha angazhimet ndaj NATO-s.

Rutte theksoi se aleanca ka plane të qarta për mbrojtjen e çdo centimetri të territorit të saj, duke përfshirë edhe operacionin “Eastern Sentry”, i nisur në shtator pas incidenteve me dronë në disa vende anëtare, si dhe stërvitjen ushtarake “Dacian Fall”, që po zhvillohet këtë muaj në Rumani dhe Bullgari me pjesëmarrjen e rreth 5,000 trupave nga 10 vende të NATO-s.

“Kjo stërvitje tregon se jemi në gjendje, sa herë të jetë e nevojshme, të dislokojmë menjëherë në Rumani forcat e nevojshme për të mbrojtur vendin,” tha Rutte.

Edhe presidenti rumun Nicușor Dan shprehu besim të plotë në angazhimin e SHBA-së dhe të NATO-s për sigurinë e rajonit.

“Operacioni ‘Eastern Sentry’ dhe stërvitja ushtarake që po zhvillohet tani janë prova se jemi të koordinuar për lëvizje të mëdha të trupave ushtarake,” deklaroi ai.