
Komisioni Evropian ka publikuar raportin e progresit për Maqedoninë e Veriut, ku vlerëson se vendi ka bërë pak përparim në fushën e drejtësisë, ka shënuar ngecje në luftën kundër korrupsionit dhe nuk ka realizuar ndryshimet kushtetuese të kërkuara për të avancuar në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
“Maqedonia e Veriut nuk ka ndërmarrë hapa vendimtarë për të përparuar në negociatat gjatë këtij viti. Vendi duhet të miratojë ndryshimet kushtetuese të nevojshme për të ecur përpara në rrugën euro-integruese,” deklaroi Marta Kos, Komisionere e BE-së për Zgjerimin, duke shtuar se duhen përpjekje më të vendosura për të përmbushur detyrimet si vend kandidat.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, u shpreh se megjithëse vendi është i zhgënjyer, do të përmbushë detyrimet e tij ndaj BE-së. Ai akuzoi Bullgarinë për vendosjen e “kushteve artificiale” në procesin e integrimit.
“Le ta përfundojmë detyrën tonë, t’i dorëzojmë detyrat e shtëpisë që të lëmë përshtypje tek BE-ja, edhe pse kjo dëmton vlerat tona. Ne jemi zgjedhur për të qeverisur,” tha Mickoski, duke shtuar se mekanizmi i unanimitetit në BE po keqpërdoret dhe se nuk ka garanci që pas ndryshimeve kushtetuese nuk do të ketë kërkesa të tjera bilaterale.
Politikani i VMRO-DPMNE-së, Marjan Gjorgiev, e quajti raportin “të moderuar” dhe propozoi që përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë të miratohet në Kuvend, por me “efekt të vonuar”.
Ndërsa Andrej Petrov nga LSDM vlerësoi se Maqedonia ndodhet në një moment kyç të procesit integrues, por theksoi se qeveria duhet të marrë vendime të vështira në interes të shtetit dhe qytetarëve, edhe kur ato nuk janë popullore.
Analisti politik Bashkim Selmani u shpreh se raporti i KE-së duhet parë si një instrument për përmirësim dhe jo si dokument kritik. Sipas tij, vendi duhet të kalojë nga retorika në veprime konkrete, përmes forcimit të institucioneve, transparencës dhe depolitizimit të administratës publike.
Ndërkohë, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, tha se aktualisht nuk ka paralajmërim për ndryshime kushtetuese, edhe pse ekziston vullneti politik për të ecur drejt BE-së.
“Nuk ka paralajmërim për ndryshime kushtetuese, por jam optimist se nga BE-ja ka vullnet për zgjerim. Shumica parlamentare duhet të shfrytëzojë rastin,” deklaroi Gashi.