
Kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti ka kërkuar lirimin me kusht të ish-krerëve të UçK-së që po gjykohen nga Gjykata Speciale në Hagë.
Ai i ka ofruar kësaj të fundit garanci shtetërore. Kryeministri shkruan në letrën drejtuar kryetares së kësaj gjykate, Ekaterina Trendafilova.
“Sa i përket lirimit me kusht, kanë kaluar pothuajse dy vjet qëkur të akuzuarit mbahen në paraburgim. Kjo ka qenë e vështirë jo vetëm për ta, por edhe për familjet e tyre, veçanërisht për bashkëshortet dhe fëmijët e tyre, të cilët nuk e kanë mundësinë t’i shohin shpesh të dashurit e tyre. Dhe kur e kanë mundësinë, procesi i nxjerrjes së dokumenteve, aplikimit për viza, marrjes së vizave vetëm për një numër të caktuar ditësh dhe mundësisë për të fluturuar përmes Vjenës për të shkuar në Hagë çdo muaj, ishte dhe është ende i mundimshëm. Në mënyrë që ta bëjmë këtë proces më të lehtë për familjet dhe të akuzuarit, jam i gatshëm të jap garanci shtetërore për lirimin e të gjithë të akuzuarve me kusht”, thuhet në letrën që Albin Kurti në vitin 2022 ia ka drejtuar kryetares së Speciales.
Sipas Kurtit, tre vjet më vonë kërkesa për lirimin me kusht të Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit e Rexhep Selimit është edhe më e arsyeshme, pasi prokuroria ka përfunduar me paraqitjen e dëshmitarëve.
“Menjëherë pasi që kishte vënë lule të freskëta te varri i Astrit Deharit, më 5 nëntor 2020, Rexhep Selimin e dërguan në Burgun e Hagës ku ende po e mbajnë. Përveç tij, edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi po ndodhen në paraburgim tash e pesë vjet. Pesë vjet pritje, pesë vjet pas hekurave, ndërkohë që arsyeja e njëjtë përsëritet në çdo vendim për refuzimin e lirimit: “rreziku i ndikimit mbi dëshmitarët”. Por, Prokuroria e ka përfunduar rastin e saj. Dëshmitarë më nuk ka. Nuk ka as arsye ligjore, as morale që të mbahen edhe më tej në paraburgim”, vijon Kurti, shkruan Koha.