
Më shumë se 2 mijë pelegrinë sikh nga India kanë mbërritur të martën në lindje të Pakistanit, në shenjë të parë të një kalimi të madh kufitar mes dy vendeve pas konfliktit të shkurtër të muajit maj.
Pelegrinët, të ngarkuar me valixhe dhe lule, u pritën me petale trëndafili nga zyrtarë pakistanezë, të cilët u uruan mirëseardhjen në territorin e tyre. Ata do të marrin pjesë në një festival dhjetëditor për të përkujtuar 556-vjetorin e lindjes së Guru Nanak, themeluesit të besimit sikh.
Javën e kaluar, Komisioni i Lartë i Pakistanit në Nju Delhi njoftoi se kishte lëshuar mbi 2,100 viza për pelegrinët indianë.
Pasi të ndalen në Nankana Sahib, vendlindjen e Guru Nanak pranë Lahores, pelegrinët do të vizitojnë edhe vende të tjera të shenjta si Kartarpur, ku mendohet se ndodhet varri i tij.
Kalimi kufitar i Wagah, i cili kishte qenë i mbyllur për disa muaj pas përplasjes së majit mes dy vendeve, u rihap nga autoritetet pakistaneze për të lehtësuar pelegrinazhin.
Zyrtari pakistanez Nasir Mushtaq tha se dhënia e vizave dhe hapja e kufirit tregojnë “respektin e Pakistanit për pakicat fetare dhe përkushtimin për forcimin e lidhjeve kulturore, pavarësisht mosmarrëveshjeve politike”.
Sikhizmi, një fe monoteiste e lindur në shekullin XV në rajonin e Pandxhabit – që sot ndahet mes Indisë dhe Pakistanit – ka një rëndësi të veçantë në të dyja anët e kufirit.
“Nuk ndihemi si në një vend të huaj. Ndihemi mes njerëzve tanë,” tha një pelegrin indian për DW. “Lutemi që edhe pakistanezët që vizitojnë Indinë të priten me të njëjtën ngrohtësi dhe respekt.”