
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se qytetari serb nga Leposaviqi, që dyshohet se është plagosur dhe rrëmbyer nga Xhandarmëria serbe, u sulmua për shkak se ishte kundërshtar i politikave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, përcjell REL.
Sipas Kurtit, ngjarja ka ndodhur brenda territorit të Kosovës, në zonën e quajtur “pika zero”, pranë kufirit në Leposaviq. “Fqinji ynë verior po vazhdon me sulmet për disiplinimin e serbëve dhe destabilizimin e Kosovës. Por jam i bindur se me organet tona të sigurisë dhe inteligjencës, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, ajo do të dështojë në këto dy fronte”, tha Kurti gjatë një konference për media më 4 nëntor.
Ai kërkoi mbështetje nga faktori ndërkombëtar dhe dënim për ata që urdhërojnë e ekzekutojnë veprime të tilla kriminale, me qëllim destabilizimi.
Sipas Policisë së Kosovës, qytetari M.V. u plagos dhe u rrëmbye më 1 nëntor, dhe më pas u transportua në një spital në Nish. Bëhet fjalë për Millan Vukashinoviqin, banor i Leposaviqit, që sipas burimeve të Radio Evropa e Lirë, ishte në konflikt me përfaqësuesit e Listës Serbe, partisë pro-Beogradit në veri të Kosovës.
Avokati i tij, Ivan Niniq, ka thënë se Vukashinoviq kishte refuzuar t’u bindet politikave të Listës Serbe dhe dyshohet se është joshur në një takim nga një pjesëtar i Ushtrisë së Serbisë.
Sipas avokatit, gjendja e tij shëndetësore është kritike, pasi gjatë transportit drejt Nishit ai ka humbur shumë gjak, i është hequr një veshkë, si dhe ka dëmtime serioze në mushkëri dhe diafragmë.
Autoritetet serbe dhe Lista Serbe ende nuk kanë komentuar mbi ngjarjen, ndërsa KFOR-i ka konfirmuar se situata në kufi është e qetë dhe se po monitoron zhvillimet nga afër.