Vendosni fjalën kyçe....

Irani liron dy shtetas francezë të arrestuar për spiunazh, në një shkëmbim të mundshëm të të burgosurve



Dy shtetas francezë, Cecile Kohler dhe Jacques Paris, janë liruar nga autoritetet iraniane pas më shumë se tre vitesh burgim, njoftoi të martën presidenti francez Emmanuel Macron, duke e përshkruar këtë si “një hap të parë drejt kthimit të tyre në Francë”.

Sipas Macron, dy shtetasit janë liruar nga burgu Evin në Teheran dhe ndodhen në ambasadën franceze në pritje të përfundimit të procedurave për kthimin në atdhe. “Dialogu vazhdon për të siguruar kthimin e tyre sa më shpejt në Francë,” shkroi ai në rrjetin X.

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, konfirmoi se Kohler dhe Paris ndodhen “të sigurt në ambasadë”, ndërsa shtoi se lirimi i tyre përfundimtar është në proces, përcjell JPost.

Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme e Iranit deklaroi se dy francezët janë liruar me kusht, duke qëndruar nën mbikëqyrje gjyqësore në Iran “deri në fazën e ardhshme të procedimit ligjor”.

Lirimi i Kohler dhe Paris vjen pak javë pasi një studente iraniane në Francë, Mahdieh Esfandiari, e arrestuar më herët në Lyon për postime anti-izraelite në rrjete sociale, u lirua me kusht në tetor.
Mediat iraniane kanë raportuar se lirimi i saj lidhej me përgatitjen e një shkëmbimi të mundshëm të të burgosurvemes dy vendeve.

Kohler dhe Paris ishin arrestuar në vitin 2022, nën akuza për spiunazh, të cilat Franca i ka cilësuar si të pabazuara. Ata janë ndër dhjetëra shtetas të huaj që Irani ka ndaluar vitet e fundit, shpesh në kuadër të tensioneve diplomatike me vendet perëndimore.

Qeveria franceze ka akuzuar vazhdimisht Iranin për “marrje peng të shtetaseve” dhe trajtim çnjerëzor ndaj të burgosurve të saj. Teherani i ka mohuar këto akuza, duke këmbëngulur se proceset ndaj të huajve janë “çështje të brendshme gjyqësore”.