Vendosni fjalën kyçe....

Ekipet e shpëtimit në Nepal kërkojnë trupat e alpinistëve pas ortekut vdekjeprurës


Ekipet e shpëtimit po vijojnë kërkimet nëpër akull dhe borë në një mal në Nepal, në përpjekje për të gjetur trupat e shtatë alpinistëve që humbën jetën pas një orteku të hënën, thanë zyrtarët vendas.

Orteku goditi kampin bazë në malin Yalung Ri, rreth 4,900 metra mbi nivelin e detit, në orët e para të mëngjesit. Stuhitë e dendura të borës penguan ekipet e shpëtimit të mbërrinin në zonë gjatë ditës së hënë.

Përmirësimi i kushteve atmosferike të martën bëri të mundur ndërhyrjen e një helikopteri në kampin bazë, ndërsa ekipet e shpëtimit nisën kërkimet mes borës dhe akullit.

Shefi i policisë së distriktit Dolkha, Gyan Kumar Mahato, konfirmoi se katër alpinistë të plagosur u shpëtuan me helikopter dhe u transportuan në kryeqytetin Katmandu për trajtim mjekësor.

Dy shtetas francezë po marrin ndihmë në Spitalin “Era” të Katmandus. Njëra prej tyre, Isabelle Solange Thaon, 54 vjeç, tha se humbi bashkëshortin e saj, Christian Manfred, në ortek, por shpëtoi bashkë me alpinistin tjetër francez, Didier Armand, raporton AP.

Mes viktimave ndodheshin edhe dy udhërrëfyes nepalezë, ndërsa identiteti i katër personave të tjerë mbetet ende i paqartë. Deri të martën pasdite, tre trupa ishin gjetur nën dëborë, por nuk dihet ende se kur do të transportohen nga zona malore.

Mali Yalung Ri, me një lartësi prej 5,600 metrash, konsiderohet një prej majave më të përshtatshme për alpinistët fillestarë.