
Presidenti amerikan Donald Trump tha se çipat më të avancuar të inteligjencës artificiale të kompanisë Nvidia do të rezervohen vetëm për kompanitë amerikane, duke u ndaluar qasjen Kinës dhe vendeve të tjera.
Në një intervistë të regjistruar për emisionin “60 Minutes” në CBS, si dhe në deklarata për gazetarët gjatë udhëtimit me avionin presidencial Air Force One, Trump tha se vetëm klientët amerikanë do të kenë akses në çipat e nivelit më të lartë Blackwell të prodhuar nga Nvidia, kompania me vlerën më të lartë të tregut në botë.
“Çipat më të avancuar, ne nuk do të lejojmë që t’i ketë askush tjetër përveç Shteteve të Bashkuara,” tha Trump për CBS, duke përsëritur deklaratat që bëri më herët për gazetarët gjatë kthimit nga fundjava në Florida.
“Ne nuk ua japim çipat Blackwell njerëzve të tjerë,” shtoi ai gjatë fluturimit.
Këto deklarata sugjerojnë se Trump mund të vendosë kufizime më të rrepta mbi eksportet e çipave më të sofistikuar amerikanë të inteligjencës artificiale, duke e përjashtuar jo vetëm Kinën, por ndoshta edhe pjesën tjetër të botës nga aksesimi i këtyre teknologjive të ndjeshme.
Në korrik, administrata Trump prezantoi një plan të ri për inteligjencën artificiale, që synon të zbusë rregullat mjedisore dhe të zgjerojë eksportet e teknologjive të AI drejt aleatëve të SHBA-së, me qëllim ruajtjen e epërsisë amerikane ndaj Kinës në këtë fushë strategjike.
Vetëm të premten e kaluar, Nvidia njoftoi se do të furnizojë më shumë se 260,000 çipa Blackwell për Korenë e Jugut dhe disa nga bizneset më të mëdha të saj, përfshirë Samsung Electronics.
Dyshime për tregtinë me Kinën
Që nga gushti, është ngritur pyetja nëse Trump do të lejojë shitjen e një versioni më të kufizuar të çipit Blackwell për tregun kinez, pasi atëherë ai kishte sugjeruar mundësinë e një kompromisi të tillë.
Në intervistën për CBS, Trump theksoi se nuk do të lejojë shitjen e versioneve më të avancuara të Blackwell për kompanitë kineze, por nuk e përjashtoi mundësinë që ato të marrin një version më të dobët të çipit. “Do t’i lejojmë të punojnë me Nvidia, por jo për çipat më të avancuar,” tha ai.
Vetë mundësia që ndonjë version i Blackwell të shitet në Kinë ka shkaktuar kritika të forta në Uashington, veçanërisht nga ligjvënësit republikanë që shprehen kundër Pekinit, të cilët frikësohen se kjo teknologji mund të forcojë aftësitë ushtarake të Kinës dhe të përshpejtojë zhvillimin e saj në fushën e inteligjencës artificiale.
Kongresmeni republikan John Moolenaar, kryetar i Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve për Kinën, tha se një hap i tillë “do të ishte si t’i japësh Iranit uranium të cilësisë ushtarake.”
Trump kishte njoftuar se mund të diskutonte për çështjen e çipave me presidentin kinez Xi Jinping gjatë samitit në Korenë e Jugut javën e kaluar, por më vonë konfirmoi se tema nuk u trajtua.
Ndërkohë, CEO i Nvidia-s, Jensen Huang, tha javën e kaluar se kompania nuk ka kërkuar licenca eksporti për tregun kinez, për shkak të qëndrimit të Pekinit ndaj saj.
“Ata e kanë bërë shumë të qartë se nuk duan që Nvidia të jetë atje për momentin,” u shpreh Huang gjatë një aktiviteti për zhvilluesit, duke shtuar se kompania ka nevojë për akses në tregun kinez për të financuar kërkimet dhe zhvillimin në SHBA.