Vendosni fjalën kyçe....

Rama paralajmëron reformim të inspektorëve të AKU-së: Ftoj të gjithë studentët që duan të guxojnë dhe të aplikojnë


Kryeministri Edi Rama, gjatë një aktiviteti në Universitetin Bujqësor të Tiranës, njoftoi planin për reformimin e inspektorateve shtetërore në bashkëpunim me botën akademike.

Ai tha se synohet krijimi i një “aleance profesionale” që do të përfshijë pedagogë e studentë me meritë dhe integritet, duke shmangur emërimet pa bazë profesionale. 

“Kemi marrë nga grupi i angazhuar këtu një raport shumë cilësor, por një eksperiencë që na ka dhënë idenë që ta strukturojmë, të shtrirë me botën akademike, për të bërë vlerësimet profesionale të të gjithë inspektorateve të vendit tonë.

Duke krijuar një aleancë që do t’i hapë rrugë profesionistëve, që do të duhet të përfshihen në këto inspektorate sipas meritës dhe do t’i mbyllë mënyrat atyre që janë futur pa integritetin e duhur profesional dhe për t’u bërë jo pjesë e zgjidhjes që duhet të garantojnë inspektoratit, por pjesë e problemeve që kemi me ta.

Dua të falënderoj të gjithë ata pedagogë që janë përfshirë në këtë proces. Dhe dua të ftoj që të gjithë ata studentë që kanë dëshirë që të përfshihen në këto inspektorate apo duan të kontribuojnë, që të guxojnë dhe të aplikojnë kur të hapet procesi i aplikimeve të reja.

Do të shfrytëzojmë universitetin për të bërë vlerësime të atyre që duhet të merren në punën, për të shmangur ndikimet e tjera.

Sipas zakonit duhet të falënderojmë dhe partnerët e pranishëm.”, tha Rama.