
Kandidati i pavarur Florjan Binaj ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila vendosi të rrëzojë shkarkimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke i hapur këtij të fundit rrugën për t’u rikthyer në detyrë.
Në një postim në rrjetet sociale, Binaj theksoi se për të dhe qytetarët e Tiranës “thelbi mbetet i njëjtë”, se kryeqyteti ka nevojë për ndryshim të thellë dhe një drejtim të ri.
Ai konfirmoi vendosmërinë për të kandiduar për postin e kryebashkiakut, pavarësisht kur do të zhvillohen zgjedhjet.
“Për mua dhe për qytetarët e Tiranës, thelbi mbetet i njëjtë: Tirana ka nevojë për ndryshim. Unë do të kandidoj për kryebashkiak të Tiranës kurdo që të mbahen zgjedhjet, me të njëjtën bindje, përkushtim dhe energji për t’u shërbyer njerëzve me ndershmëri, përgjegjshmëri dhe transparencë,” shkruan Binaj.
Ai shtoi se gara e tij nuk ka të bëjë me pushtetin, por me përpjekjen për të ndërtuar një qytet më të mirë për brezat që vijnë:
“Kjo nuk është garë për pushtet, por përpjekje për qytetin tonë, për ta bërë atë shtëpinë që duam t’u lëmë fëmijëve tanë. Mbështetja, inkurajimi dhe besimi që më kanë dhënë mijëra qytetarë këto ditë më kanë bindur se së bashku ne do t’ja dalim. Rrugëtimi ynë vazhdon. Ndryshimin që duan qytetarët e Tiranës nuk do ta ndalë asgjë.”- u shpreh Binaj.