
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj Ligjit për Barazinë Gjinore, duke e cilësuar si një përpjekje për të mohuar gjinitë biologjike dhe për të imponuar një gjini të tretë në shoqërinë shqiptare.
Sipas Berishës, ligji është i frymëzuar nga ideologjia e ekstremit të majtë dhe mbështetet nga figura si George Soros, të cilin ai e cilëson si “armikun më të egër të forcave demokratike konservatore”.
“Raporti në fakt fakton 100% ato që janë thëna, rezultat ndërkombëtare dhe ato që ne kemi paraqitur përpara shqiptarëve fakt dhe dokumenta. Nga ana tjetër një goditje të rëndë ka marrë në SHBA, George Soros armiku më i egër i forcave demokratike konservatore në botë.”
Berisha akuzoi gjysmën e kabinetit qeveritar se është në bashkëpunim me Sorosin dhe se ligji që po propozohet në Kuvend është një sulm ndaj familjes tradicionale.
“Në Shqipëri gjysma e kabinetit është në bashkëpunëtorë me Sorosin. Kjo është e vërteta. Ligji që vjen në parlament është ligji i poshtërimit të familjes shqiptare. Ligji që do të mohojë gjinitë njerëzore. Burrë dhe Grua.”
Ai shtoi se edhe ideologët si Karl Marksi nuk kanë shkuar deri në këtë pikë, duke e cilësuar ligjin si një projekt të “shuarjes së gjinisë”.
“Ligji në të cilin e majta ekstremiste marksiste amerikane u angazhua në mënyrën më të papërmbajtur. Marksi që është doktrinari i terrorizmit mbi tokë nuk ka shkuar tek gjinia. Nuk pati përpjekje për të operuar me gjini. Kurse Soros më të vetët, përpjekjet titanike për të krijuar gjininë e tretë. Faktikisht ligji i shuarjes. Gjinia, thotë Rama, nënkupton rolet e ndërtuar në kontekstin social” – tha Berisha.