Vendosni fjalën kyçe....

Rikthehet lëvizja pa kontrolle mes Shqipërisë dhe Kosovës për mjetet me targa vendase



Nga 1 nëntori, në pikat kufitare mes Shqipërisë dhe Kosovës është rikthyer regjimi i lëvizjes pa kontrolle për mjetet me targa shqiptare dhe kosovare, i cili do të mbetet në fuqi deri më 28 shkurt të vitit të ardhshëm.

Gjatë kësaj periudhe, kontrollet kufitare do të aplikohen vetëm për mjetet me targa të huaja, por me procedurë të përshpejtuar për të shmangur pritjet e gjata, veçanërisht në pikat e Morinës dhe Vermicës.

Ky regjim është rikthyer pas një pezullimi njëmujor gjatë tetorit, periudhë gjatë së cilës u krye regjistrimi dhe kontrolli i mjeteve dhe udhëtarëve. Marrëveshja për lëvizje të lirë mes dy shteteve synon lehtësimin e qarkullimit dhe shmangien e trafikut të rënduar në kufi, dhe gjatë sezonit veror ka dhënë rezultate të dukshme.

Sipas marrëveshjes, qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës përfitojnë nga 9 muaj në vit me kalim kufitar të lehtësuar, ndërsa për tre muajt e mbetur (mars, prill dhe tetor) zbatohen kontrolle të rregullta, përjashtuar fundjavët dhe festat zyrtare.