
Në Maqedoninë e Veriut po mbahet sot raundi i dytë i Zgjedhjeve Lokale të vitit 2025, ku qytetarët do të votojnë për kryetarë komunash në 32 komuna dhe në Qytetin e Shkupit. Po ashtu, në tri qendra votimi të komunës së Shuto Orizarit do të zhvillohen rizgjedhje për këshilltarë.
Në disa komuna, si Gostivar, Vrapçisht, Qendër Zhupë dhe Mavrovë, nuk do të ketë zgjedhje për kryetar komune, pasi procedura do të përsëritet brenda 60 ditëve pas përfundimit të procesit aktual.
Në raundin e dytë kanë të drejtë vote 1.013.375 qytetarë, ndërsa vetëm në Qytetin e Shkupit janë 474.304 votues. Në kryeqytet, në komunat Qendër, Aerodrom dhe Karposh, qytetarët do të marrin dy fletëvotime — një për kryetarin e Qytetit të Shkupit dhe një për vetëqeverisjen lokale. Në Shuto Orizari, përveç zgjedhjes së kryetarit të komunës, do të zhvillohen edhe rizgjedhje për këshilltarë.
Votimi ka nisur në orën 07:00 dhe përfundon në orën 19:00. Ai mund të zgjatet në rast se ka vonesa ose ndërprerje gjatë procesit, por jo më shumë se tre orë. Votuesit identifikohen përmes kartës së identitetit ose pasaportës dhe, si në zgjedhjet e kaluara, përdoren pajisjet për verifikimin e gjurmëve të gishtërinjve.
Pas mbylljes së qendrave të votimit në orën 19:00, numërimi i votave mund të nisë vetëm pasi të jetë përfunduar procesi në të gjitha qendrat.
Këto janë zgjedhjet e teta lokale në historinë e Maqedonisë së Veriut dhe të katërtat në të cilat zgjidhen njëkohësisht kryetarë komunash dhe këshilltarë në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit.