
E diela është shpallur ditë zie kombëtare në nderim të ish-kryeministrit Fatos Nano, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë në moshën 73-vjeçare. Me vendim të qeverisë, gjatë gjithë ditës flamujt në institucionet shtetërore do të ulen në gjysmështizë.
Në Pallatin e Kongreseve në Tiranë kanë nisur homazhet publike për qytetarët që dëshirojnë t’i japin lamtumirën e fundit Fatos Nanos. Homazhet do të zgjasin deri në orën 11:00, ndërsa nga ora 11:15 deri në 11:45 do të zhvillohen homazhet shtetërore, me pjesëmarrjen e personaliteteve të larta politike dhe shtetërore.
Gjatë ceremonisë zyrtare, pritet të mbahen fjalime nga kryeministri Edi Rama dhe një përfaqësues i familjes Nano.
Në orën 12:00, në të gjithë vendin do të mbahet një minutë heshtje në nderim të ish-kryeministrit, duke ndërprerë përkohësisht çdo aktivitet publik. Pesë minuta më vonë, do të nisë ceremonia funebre për përcjelljen e trupit të Fatos Nanos drejt banesës së fundit.
Fatos Nano ishte një nga figurat më të rëndësishme të tranzicionit politik shqiptar dhe themelues i Partisë Socialiste të Shqipërisë. Ai ka drejtuar qeverinë në disa periudha gjatë viteve ’90 dhe 2000.