
Në ceremoninë mortore të ish-kryeministrit Fatos Nano, e mbajtur në hollin e Pallatit të Kongreseve, bashkëshortja e tij, Xhoana Nano, mes lotësh, e cilësoi Nanon si një njeri që e deshi jo vetëm si person, por edhe për vizionin e një Shqipërie ndryshe, tjetër nga ajo që po përjetonte vendi.
“Fatosi ishte i vërtetë, nuk dinte dhe nuk donte të shtirej, e urrente populizmin. Besonte me shpirt në vlerat evropiane, ishte neveritës ndaj banalitetit, servilizmit dhe paaftësisë. Ai eci mes baltës së politikës pa u bërë pis prej saj. Nuk bënte asgjë përgjysëm, as punën, as miqësinë, as dashurinë. Kishte një zemër të madhe, që dinte të falte e të mirëkuptonte, hakmarrja nuk ishte kurrë një cilësi e tij,” tha Xhoana Nano.
Në fjalën e saj, ajo kujtoi gjithashtu historinë e dashurisë dhe jetën e përbashkët me Nanon:
“Po ndahem me njeriun që kalova një çerek shekulli jetë dhe që më lidhën shumë ëndrra, shpresa e zhgënjime të përbashkëta. Rashë në dashuri jo vetëm me Fatosin si person, por edhe me vizionin e një Shqipërie ndryshe. Me kalimin e kohës, pata fatin të zbuloja tek ai vlera e cilësi që nuk janë të zakonshme,” shtoi ajo.
Edhe djali i ish-kryeministrit, Sokol Nano, mbajti një fjalim emocionues gjatë homazheve:
“Familjen time e ka lidhur fati thellësisht me shqiptarët dhe e kemi ndjerë dashurinë që kishit për Fatosin. Sot është një ditë ndryshe, pasi Fatosi, babai, gjyshi, lideri, ikën nga kjo botë, por vetëm fizikisht. Im atë më mësoi se politika shkoi përtej personales, ngrinte ura, jo mure. Ishte i butë dhe tolerant me këdo që mendonte ndryshe.”
Fatos Nano, lider historik i Partisë Socialiste, u përcoll për në banesën e fundit me nderime dhe respekt nga familjarë, miq dhe qytetarë.