
Deputetja e PD, Albana Vokshi, gjatë intervistës së saj në emisionin “Kjo Javë”, e pyetur për gjyqin e Erion Veliajt në Kushtetuese e ka cilësuar shkarkimin e Erion Veliajt dhe dekretimin e zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës nga presidenti si një “puç” kushtetues.
Vokshi tha se Veliaj nuk ndodhet në burg për aferat e duhura, por për shpenzime të pajustifikuara, dhe e konsideroi si një padrejtësi të kryer nga sistemi nën urdhrat e Edi Ramës.
“Kur pushteti ngrihet mbi frikën, mbi kallëzimet mbi njëri-tjetrin, pushteti fillon e ha të vetët. Veliaj është në burg jo për aferat e duhura, por për disa shpenzime që nuk i ka të justifikuara. Ka vënë gur në këtë pushtet që tani po e han. Mendoni se ato muaj në burg e bëjnë Veliajn mbrojtës të qytetarëve, ndërkohë që ka abuzuar me fondet për arsimin, ujësjellësin.
Erion Veliaj si rasti i Kadri Hazbiut. Vënë gur dhe heshtin kur të tjerët arrestohen dhe nuk lejohen të bëjnë fushatë, dhe tani ky pushtet po të kthehet, ngrejnë zërin kur e pësojnë vetë.
Veliaj është një nga figurat më të korruptuara, më abuzive me pushtetin që nga koha kur ishte ministër, unë e kam paditur dhe ai më ka paditur për shpifje. I ka ndodhur në këtë rast një padrejtësi, është ai sistemi që funksionon me urdhër të Edi Ramës.
Në momentin që ai ankimon në Kushtetuese, presidenti bën puç kushtetues.”