
Nga Auron Tare
Dy javë më parë në Tiranë, ambasada Britanike me një ceremoni të thjeshtë por mjaft domethënëse, nderoi një rreshter të humbur diku në malet e Jugut Shqiptar gjatë Luftës së Dytë.
Nderimi për ushtarin Peter Twiddy, edhe pse pas kaq vitesh nga kjo përleshje Botërore, tregon me të vërtetë respektin që kombet e civilizuara kanë për heronjtë e tyre.
Dy javë më parë, u nda nga kjo botë Pilo Shanto, një figurë shumë pak e njohur për publikun shqiptar, por një personalitet shumë i rëndësishëm për Shtetin Shqiptar dhe për historinë shqiptare të Luftës së Ftohtë.
Pilo Shanto, në vitet ’50 ishte një nga figurat kryesore të zbulimit të jashtëm shqiptar (pjesë e shërbimit sekret), të cilët me një profesionalizëm të rrallë krijuan dhe zbatuan disa radioloja kundër zbulimeve më të rëndësishme botërore, ato anglo-amerikane.
Aq të suksesshme ishin këto operacione nga pikëpamja profesionale, sa që me rënien e Murit të Berlinit, protagonistët e këtyre betejave në kampin “humbës” folën me mjaft respekt për kundërshtarët e tyre të dikurshëm.
Shanto ishte pjesë e një brezi që besuan në një ideologji e cila dështoi në gjysmën e botës, por edhe pse pjesë e kësaj ideologjie, ai ishte një patriot shqiptar i cili luftoi në një front të padukshëm për mbrojtjen e integritetit territorial shqiptar.
Për ironi të fatit, ai kaloi pleqërinë e tij në Virginia, shumë afër zyrave të spiunazhit Amerikan në Langley.
U nda nga kjo botë i harruar dhe fatkeqësisht vendi për të cilin ai dha aq shumë, as nuk e nderoi dhe as nuk e përmendi, si për të mbështetur mendimin se Shqipëria i harron gjithnjë heronjtë e saj.
- Kolonel Pilo Shanto
- Mitralieri i RAF, rreshter Peter Twiddy
- Banda e Ushtrisë Shqiptare që përcjell në banesën e fundit ushtarakun britanik tek kodrat e Liqenit.


