
Rusia ka goditur Ukrainën gjatë muajve të fundit me një raketë lundrimi, zhvillimi sekret i së cilës çoi Donald Trump-in të braktiste traktatin bërthamor të kontrollit të armëve me Moskën gjatë mandatit të tij të parë si president i SHBA-së, deklaroi ministri i jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha.
Komentet e Sybihas janë konfirmimi i parë publik se Rusia ka përdorur në luftime raketën tokësore 9M729, e njohur edhe si SSC-8, e cila ka qenë në qendër të mosmarrëveshjes që në vitin 2019 çoi në shembjen e traktatit të Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme (INF).
Një zyrtar i dytë i lartë ukrainas tha për Reuters se Rusia ka lëshuar këtë raketë kundër Ukrainës 23 herë që nga gushti, ndërsa është regjistruar përdorimi i saj edhe dy herë në vitin 2022.
Ministria ruse e Mbrojtjes nuk iu përgjigj kërkesës me shkrim për koment.
Raketë me rreze 2,500 kilometra
Raketa 9M729, sipas Uashingtonit, shkelte kufirin e traktatit INF prej 500 kilometrash, ndërsa Moska e mohoi këtë.
Sipas të dhënave të Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) në Uashington, raketa mund të mbajë një ngarkesë konvencionale ose bërthamore dhe ka rreze veprimi deri në 2,500 kilometra.
Një burim ushtarak ukrainas tha se një nga raketat 9M729 të lëshuara më 5 tetor fluturoi mbi 1,200 kilometra deri në pikën e goditjes në Ukrainë.
“Përdorimi nga Rusia i raketës 9M729, e ndaluar nga traktati INF, kundër Ukrainës në muajt e fundit, tregon mungesën e respektit të (presidentit Vladimir) Putinit ndaj Shteteve të Bashkuara dhe përpjekjeve diplomatike të presidentit Trump për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës,” tha Sybiha në një deklaratë me shkrim.
Ai shtoi se Kievi mbështet propozimet e paqes të Trump-it dhe kërkoi presion maksimal ndaj Moskës:
“Rritja e aftësive tona për goditje me rreze të gjatë do ta bindte Rusinë të ndalë luftën.”
Ukraina ka kërkuar nga SHBA të furnizohet me raketat me rreze të gjatë Tomahawk, të cilat nuk ishin të ndaluara nga traktati INF pasi lëshoheshin vetëm nga deti. Rusia e ka quajtur këtë një “përshkallëzim të rrezikshëm”.
“Çështje e sigurisë evropiane”
Ekspertë perëndimorë thanë se përdorimi i raketës 9M729 zgjeron arsenalin rus të armëve me rreze të gjatë dhe përkon me përpjekjet e Putinit për t’i dërguar sinjale kërcënuese Evropës ndërsa Trump përpiqet të arrijë një marrëveshje paqeje.
“Mendoj se Putini po përpiqet të rrisë presionin si pjesë e negociatave për Ukrainën,” deklaroi William Alberque, ekspert në Pacific Forum, duke theksuar se raketa është projektuar për objektiva në Evropë.
Kjo ndodh vetëm disa ditë pasi Rusia testoi raketën e re bërthamore Burevestnik dhe torpedon bërthamore Poseidon.
Shtëpia e Bardhë nuk dha koment mbi përdorimin e 9M729, por presidenti Trump urdhëroi të enjten rinisjen e testimeve bërthamore nga ushtria amerikane, duke cituar “programet e testimeve të vendeve të tjera”.
Pas tërheqjes së SHBA nga traktati INF në vitin 2019, Rusia shpalli një “moratorium” për vendosjen e raketave me rreze të mesme, por Perëndimi pretendonte se Moska tashmë kishte dislokuar një numër të madh raketash 9M729.
Më 4 gusht, pak para se t’i përdorte në Ukrainë, Rusia njoftoi se nuk do të kufizonte më dislokimin e raketave të kësaj kategorie.
“Nëse provohet se Rusia po përdor raketa me rreze të ndaluar nga INF, të cilat mund të jenë lehtësisht bërthamore, atëherë kjo është një çështje që prek sigurinë evropiane, jo vetëm të Ukrainës,” tha John Foreman, ish-ataşe i mbrojtjes britanike në Moskë dhe Kiev.
Prova të mbetjeve të raketave
Sipas burimeve ukrainase, përdorimi i raketave nisi më 21 gusht, më pak se një javë pas takimit Trump–Putin në Alaskë. Reuters ka analizuar imazhet e mbetjeve pas një sulmi rus më 5 tetor në fshatin Lapaiivka, ku një ndërtesë banimi u godit dhe katër persona humbën jetën.
Fragmentet e gjetura, përfshirë një tub me kabllo elektrike, mbanin shenjën “9M729”, duke konfirmuar llojin e raketës. Sipas ekspertit të sigurisë globale Jeffrey Lewis nga Middlebury College, përbërësit e tubit dhe motorit përputheshin plotësisht me karakteristikat e 9M729.
Sulme nga distanca më të sigurta
Analistët theksojnë se raketa 9M729 i lejon Rusisë të kryejë sulme nga thellësia e territorit të saj, duke shmangur rreziqet e mbrojtjes ajrore të Ukrainës.
Douglas Barrie nga International Institute for Strategic Studies (IISS) tha se përdorimi i kësaj rakete “i ofron Rusisë mundësinë të testojë sistemin në kushte lufte”, ndërsa numri i madh i përdorimeve sugjeron qëllime operative dhe jo thjesht eksperimentale.