
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, u paraqit këtë të enjte në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), pas një fletëthirrjeje të firmosur nga prokurori Dritan Prençi, ku u njoh me akuzat që Prokuroria e Posaçme ka ngritur ndaj saj.
Në momentin e mbërritjes, Balluku nuk pranoi të komentonte për mediat dhe nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve nëse do të dorëhiqej pas ngritjes zyrtare të akuzave.
Më herët, në SPAK ishte paraqitur motra e saj dhe njëherazi avokate, Pamela Qirko. Rreth orës 15:11, zv/kryeministrja mbërriti vetë në Prokurorinë e Posaçme.
Pas daljes nga SPAK, Balluku dha një deklaratë të shkurtër për mediat, ku theksoi se e ka pranuar kërkesën e prokurorëve dhe e konsideron hetimin një mundësi për transparencë dhe llogaridhënie.
“Si qytetare e Shqipërisë edhe si zyrtare publike, e shikoj këtë si një proces për të cilin jam shpresëplotë që do të jetë i bazuar mbi transparencën, llogaridhënien dhe mbi parimet e drejtësisë, tek e cila besoj,” tha Balluku.
Zv/kryeministrja u largua më pas pa dhënë detaje të tjera mbi çështjen në hetim.
Por pak minuta më vonë vet SPAK doli me një njoftim zyrtar ku bëri me dije se zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, është marrë zyrtarisht e pandehur nga Prokuroria e Posaçme për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në lidhje me projektin e tunelit të Llogarasë me vlerë 18.9 miliardë lekë pa TVSH.
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, procedimi penal nr.136/2025 është bashkuar me dy dosje të mëparshme dhe përfshin dyshime për shkelje në prokurimin e datës 11 dhjetor 2020, të anuluar dhe rihapur më 22 qershor 2021.
Hetimi përfshin edhe zyrtarë të tjerë, ndërsa të hënën pritet të paraqitet në SPAK kreu i ARRSH, Gentian Gjyli.
Njoftimi i SPAK
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po heton në kuadër të procedimit penal nr.136 të vitit 2025 (bashkuar me procedimet penale nr.167 dhe 181 të vitit 2024), për veprën penale,“Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.
Në kuadër të hetimit të këtij procedimi penal, sot, më 31.10.2025 i është njoftuar akuza të pandehurës Belinda Balluku, me funksionin e lartë shtetëror, Ministër i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, akuzuar për kryerjen e veprës penale,“Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet, 258/2 dhe 25 i Kodit Penal.
Deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, faktet penale, objekt akuze në ngarkim të të pandehurës Belinda Balluku, kanë të bëjnë me veprimet e saj, në cilësinë e Ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për njërën nga procedurat e prokurimit, objekt i këtij hetimi, “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”, në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë), zhvilluar në datën 11.12.2020 dhe pas anulimit të saj, procedura është rihapur në datën 22.6.2021, me fond limit, 18 967 810 952.08 (tetëmbëdhjetë miliardë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e shtatë milionë e tetëqind e dhjetë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e dy (pikë) zero tetë) lekë pa TVSH.
Më 21.10.2025, Prokuroria e Posaçme, si organ procedues ka njoftuar të pandehurën përmes shkresës me numër protokolli 37398. E pandehura, pasi mori dijeni, ka njoftuar më 23.10.2025, organin procedues se nuk mund të paraqitej në datën dhe orën e caktuar. Me anë të një shkrese tjetër, me numër protokolli 37881, datë 24.10.2025, Prokuroria e Posaçme kërkoi paraqitjen e saj sot, më 31 tetor, në orën 15:00