Vendosni fjalën kyçe....

Seanca në Kushtetuese për Veliajn, Komisioni i Venecias: Ndërhyrja në mandatin e të zgjedhurve cenon pushtetin vendor


Komisioni i Venecias ka publikuar raportin mbi ndikimin e paraburgimit paraprak të kryetarëve të bashkive dhe zëvendësimin e tyre me të emëruar nga qendra, duke theksuar se praktika të tilla cenojnë autonominë vendore dhe vullnetin e zgjedhësve.

Raporti vjen teksa ditën e nesërme kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj do marrë pjesë në seancën në Gjykatën Kushtetuese, mbi shkarkimin e tij, të cilin e konsideron të paligjshëm.

Pas shkarkimit të tij nga Këshilli Bashkiak, në vend të tij u komandua Anuela Ristani, ndërsa pak ditë më pas kryeministri Rama prezantoik Ogerta Manastirliun si kandidaten e PS-së për zgjedhjet e pjesshme në Tiranë.

“Pezullimi ose përfundimi i mandatit të kryetarëve të bashkive për shkak të ndalimit apo paraburgimit të tyre prek thelbin e autonomisë vendore dhe shkel parimet e Kartës Evropiane për Vetëqeverisjen Vendore”, thuhet në raport.

Raporti kritikon çdo ndërhyrje të qeverisë qendrore që zëvendëson kryetarët e zgjedhur, duke theksuar se kjo duhet të jetë një masë jashtëzakonshme, e bazuar në ligj dhe me garanci të plota procedurale, për të shmangur politizimin dhe arbitraritetin.

“Zëvendësimi i kryetarëve të zgjedhur të bashkive me të emëruar nga qendra, praktikisht shkel vullnetin e elektoratit, duke gërryer themelet e demokracisë vendore. Komisioni ka thënë në të kaluarën se kushtet nën të cilat kompetencat e një këshilltari bashkiak mund të pezullohen dhe procedura e verifikimit duhet të përcaktohen në një mënyrë të qartë dhe të saktë, dhe në përputhje me parimin se shkarkimi i një përfaqësuesi të zgjedhur është një masë e jashtëzakonshme që duhet të zbatohet vetëm në rastet e dështimeve serioze”, thuhet më tej në raport, shkruan Shqiptarja.

Ai nënvizon se paraburgimi apo pezullimi i kryetarëve të zgjedhur ka pasoja të drejtpërdrejta dhe të tërthorta mbi liritë demokratike, duke shtypur fjalën politike dhe aktivitetin përfaqësues të zgjedhurve vendorë.

““Drejtpërdrejt, paraburgimi mund të parandalojë ndërveprimin publik dhe mundësinë për të shprehur ide, duke shtypur kështu fjalimin kryesor politik dhe aktivitetin përfaqësues. Në mënyrë indirekte, kjo i pengon aktorët publikë dhe qytetarët të marrin pjesë në takime dhe protesta politike, nga frika e përgjegjësisë ose hakmarrjes së bazuar në shoqata. Demokracia vendore mund të mbijetojë vetëm nëse përfaqësuesit e zgjedhur janë të lirë të ushtrojnë mandatin e tyre dhe vullneti i zgjedhësve respektohet plotësisht.” – vijon raporti i Komisionit të Venecias.