
Në vijim të rizgjedhjes së tij, një nga veprimet e para të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, kundër Kinës ishte vendosja e një tarife 10% ndaj importeve kineze, duke ndëshkuar Pekinin për atë që ai e përshkroi si dështim në frenimin e eksporteve të paligjshme të fentanilit dhe kimikateve të përdorura për prodhimin e tij.
Fentanili, një opioid sintetik i fuqishëm dhe që krijon shumë varësi, shpesh jepet ligjërisht nga mjekët për të trajtuar dhimbjet pas operacioneve ose ato kronike. Por droga, e cila është relativisht e lirë dhe e lehtë për t’u prodhuar, gjendet edhe në tregun e zi dhe versionet e saj të paligjshme kanë çuar në një rritje të vdekjeve nga mbidoza në SHBA gjatë dekadës së fundit.
Në mars, një muaj pas vendosjes së tarifës origjinale, Trump e dyfishoi, duke e rritur taksën në 20%, duke nxitur Kinën të hakmerret me tarifat e saj prej 10% deri në 15% mbi një sërë prodhimesh bujqësore amerikane. Tarifat “sy për sy, dhëmb për dhëmb” vijuan për muaj të tërë përpara se të dyja palët të sinjalizonin një pushim në luftën e tyre tregtare.
Më 30 tetor, pas një takimi midis kreut amerikan dhe presidentit kinez Xi Jinping në Korenë e Jugut, Trump njoftoi se SHBA-ja do përgjysmonte menjëherë tarifat e lidhura me fentailin mbi mallrat kineze.
Pse Trump vuri në shënjestër Kinën për fentanilin?
Urdhri ekzekutiv i Trump-it i shkurtit për fentanilin thoshte se Partia Komuniste në pushtet e Kinës kishte “subvencionuar dhe nxitur në mënyra të tjera kompanitë kimike të Republikës Popullore të Kinës për të eksportuar fentanilin dhe kimikate pararendëse të lidhura me të, që përdoren për të prodhuar opioidë sintetikë të shitur në mënyrë të paligjshme në Shtetet e Bashkuara.” Ai gjithashtu akuzoi qeverinë kineze se ka ofruar një “strehë të sigurt” për organizatat kriminale transnacionale që pastrojnë të ardhurat nga shitjet e fentanilit.
Nuk ishte hera e parë që Trump akuzonte krerët e Kinës për dështim në mbajtjen e premtimeve të kaluara për të luftuar tregtinë e drogës. Në fund të vitit 2023, ai postoi në platformën e tij të mediave sociale Truth Social se Xi ishte tërhequr nga ajo që Trump pretendonte se ishte një premtim i bërë në vitin 2018 për të vendosur dënimin me vdekje për tregtarët e drogës.
Në përgjigje, një zyrtar i Ministrisë së Jashtme të Kinës tha se Pekini kishte ndërmarrë masa të forta kundër tregtisë së fentanilit dhe se Uashingtoni duhet të kishte ofruar një “falënderim të madh” në vend që të vendoste taksa mbi importet kineze. Ai gjithashtu i bëri thirrje administratës Trump që të mbajë dialogun të hapur për tregtinë dhe shprehu gatishmërinë për të vazhduar punën me SHBA-në.

Cili është roli i Kinës në tregtinë e fentanilit?
Sipas një raporti të vitit 2021 nga Komisioni i Rishikimit Ekonomik dhe të Sigurisë SHBA-Kinë, Kina, e cila ka një industri të madhe kimike, mbetet “vendi kryesor i origjinës për fentanilin e paligjshëm dhe lëndët e lidhura me fentanilin e trafikuar në Shtetet e Bashkuara.”
Megjithatë, natyra e rolit të Kinës në zinxhirin e furnizimit të fentanilit ka ndryshuar. Administrata Amerikane e Zbatimit të Drogës (DEA) raporton se, që nga viti 2019, trafikantët kinezë kanë kaluar kryesisht nga prodhimi i fentanilit të përfunduar në eksportimin e kimikateve pararendëse tek kartelet meksikane, të cilat prodhojnë dhe dorëzojnë produktin e përfunduar.
Çfarë ka bërë Kina për të frenuar tregtinë e fentanilit?
Në vitin 2018, pasi Trump dhe Xi u takuan në samitin e G20-s në Argjentinë, Kina u zotua të shtrëngojë mbikëqyrjen dhe të rishikojë rregullat rreth prodhimit të fentanilit.
Udhëheqja e saj lejoi autoritetet amerikane të zbatimit të ligjit të merrnin një rol më të madh në hetimin e rrjeteve të kontrabandës brenda Kinës.
Duke ndjekur premtimet e saj, Kina në vitin 2019 mbylli një boshllëk ligjor që kishte penguar përpjekjet për të goditur laboratorët që e kishin bërë vendin eksportuesin më të madh në botë të fentanilit.
Atë vit, Kina gjithashtu dënoi tre shtetas kinezë me dënime maksimale për kontrabandën e fentanilit në SHBA, duke i dhënë njërit një dënim me vdekje të pezulluar dhe dy të tjerëve dënime me burgim të përjetshëm.
Por bashkëpunimi dypalësh ngeci kur marrëdhëniet SHBA-Kinë u tensionuan për shkak të mosmarrëveshjeve të lidhura me Tajvanin dhe pandeminë e Covid-19. Në gusht 2022, Kina njoftoi zyrtarisht se kishte pezulluar të gjithë bashkëpunimin kundër narkotikëve dhe zbatimit të ligjit me SHBA-në. Bashkëpunimi u rivendos vonë gjatë presidencës së Joe Biden-it.
Megjithatë, edhe ai bashkëpunim ka pasur kufizime, pasi që nga viti 2019, zyrtarët kinezë nuk kanë njoftuar SHBA-në për asnjë dënim të lidhur me tregtinë e fentanilit, sipas një zyrtari të ambasadës amerikane që foli më herët këtë vit.
Pse Trump uli tarifat e lidhura me fentanilin?
Trump tha më 30 tetor se “takimi i tij i mrekullueshëm” me Xi-n kishte çuar në një marrëveshje tregtare që përfshinte përgjysmimin e tarifave të lidhura me fentanilin mbi importet kineze nga SHBA-ja. Presidenti amerikan shprehu optimizëm se Kina do ndërmerrte hapa konkretë për të ulur rrjedhënv e kimikateve pararendëse të përdorura për të krijuar fentanilin.
“Unë besoj se Xi do punojë shumë fort për të ndaluar vdekjen që po vjen,” tha Trump.
Që kur Trump vendosi tarifat këtë vit, autoritetet kineze kanë shtuar dy pararendës të pa klasifikuar më parë – 4-piperidone dhe 1-boc-4-piperidone – në një listë të kimikateve të rrezikshme. Që nga 20 korriku, ato lëndë i janë nënshtruar mbikëqyrjes më të rreptë.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Bloomberg