
Nvidia ishte shumë pranë të bëhej kompania e parë në botë me vlerë tregu 5 trilionë dollarë të martën, pasi prodhuesi i çipave njoftoi se ka marrë 500 miliardë dollarë rezervime për procesorët e saj të inteligjencës artificiale dhe se do të ndërtojë shtatë superkompjuterë të rinj për Departamentin e Energjisë të SHBA-së.
Aksionet e kompanisë u rritën me pothuajse 5%, duke shtuar mbi 230 miliardë dollarë në vlerën e tregut dhe duke e çuar kapitalizimin e saj në 4.89 trilionë dollarë, pasi për pak kohë arritën në 4.94 trilionë.
CEO i Nvidia-s, Jensen Huang, gjatë një fjalimi në konferencën e zhvilluesve në Uashington, lavdëroi politikën ekonomike të presidentit amerikan Donald Trump, ndërsa prezantoi produktet dhe marrëveshjet më të reja të kompanisë.
Nvidia ndodhet në qendër të zhvillimit global të inteligjencës artificiale, duke siguruar marrëveshje strategjike edhe mes tensioneve tregtare SHBA–Kinë, të cilat po përcaktojnë dominimin teknologjik mes dy fuqive botërore.
Që prej fillimit të vitit 2025, aksionet e Nvidia-s janë rritur me 50%, ndërsa në korrik kompania kaloi për herë të parë pragun e 4 trilionë dollarëve në vlerë tregu.
Në vendin e dytë mbetet Microsoft, me një rritje prej 2% dhe kapitalizim prej 4.03 trilionë dollarësh. Kompania, së bashku me OpenAI, njoftoi një marrëveshje ristrukturimi që e lejon krijuesin e ChatGPT të largohet nga statusi jofitimprurës dhe të përgatitet për daljen në bursë.
Shtatë superkompjuterët që Nvidia do të ndërtojë për Departamentin e Energjisë do të ndihmojnë SHBA-në në mirëmbajtjen dhe zhvillimin e arsenalit bërthamor.
Më i madhi prej tyre do të ndërtohet në bashkëpunim me Oracle dhe do të përmbajë 100,000 çipa të inteligjencës artificiale Blackwell, procesorët më të avancuar të Nvidia-s.