Vendosni fjalën kyçe....

Kodi i ri Penal, Lamallari: Do të jetë dokumenti më cilësor që kemi pasur ndonjëherë


Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka prezantuar në Kuvend zhvillimet më të fundit mbi Kodin e ri Penal, duke e cilësuar si dokumentin më të avancuar dhe gjithëpërfshirës që Shqipëria ka pasur ndonjëherë në fushën e drejtësisë penale.

Gjatë seancës plenare, Lamallari tha se drafti është hartuar në përputhje me 54 direktiva të Bashkimit Evropian dhe se do të marrë dakordësinë e institucioneve europiane.

Ai theksoi se rëndësia e Kodit nuk qëndron në numrin e dispozitave, por në cilësinë dhe garancitë që ofron për mbrojtjen e interesit publik, të drejtave të qytetarëve, ekonomisë dhe parandalimin e kriminalitetit.

“Kodi Penal nuk matet me numrin e dispozitave që ai ka, por në thelb matet me cilësinë dhe garancitë që ai ofron në mbrojtje të interesit publik, të qytetarëve, të ekonomisë dhe parandalimit të tendencave kriminale,” deklaroi Lamallari.

Ai shtoi se harmonizimi i dispozitave është çështje teknike legjislative dhe se modeli shqiptar nuk ka nevojë të imitojë vende si Italia apo Spanja, të cilat kanë kode me 700–800 nene.

Ministri kritikoi mungesën e deputetëve në sallë gjatë raportimeve të institucioneve të drejtësisë, duke e cilësuar si mungesë vëmendjeje ndaj reformave kyçe.

Në vijim, Lamallari njoftoi se është miratuar Udhëzimi për Metodologjinë e Mbledhjes së të Dhënave Statistikore të Sistemit të Drejtësisë dhe se po ecën me ritme të mira puna për krijimin e Regjistrit Elektronik të Dokumentacionit për Çështjet Pronësore.

Kodi i ri Penal pritet të jetë një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të sistemit ligjor shqiptar dhe përmbushjes së standardeve të integrimit europian.