Vendosni fjalën kyçe....

Jozefina Topalli: S’na falet që një gjyqtar vritet në gjykatë, Reforma në drejtësi, eksperimenti më i dështuar në shtet


Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë fjalës së saj në Parlament bëri një analizë të ashpër të reformës në drejtësi, duke e quajtur atë “eksperimentin më të dështuar” në historinë e shtetit shqiptar.

 Ajo theksoi se qytetarët kanë humbur çdo besim tek drejtësia, ndërsa qeveria, sipas saj, e ka pranuar tashmë dështimin e reformës.

“Ndodh dhe ka që edhe reformat dështojnë. Kur reformat dështojnë në drejtësi, sigurisht që kjo është shumë e rrezikshme, se dështimi i çdo reforme i çdo pushteti është rrezik. Kur pushteti refuzon dështimin e reformës, atëherë ne kemi përballje me një alarm të madh që quhet shtet,” deklaroi Topalli.

Ajo solli në vëmendje se pas një dekade nga miratimi i reformës, sistemi gjyqësor në Shqipëri përballet me boshllëqe të mëdha institucionale dhe me një krizë funksionale që, sipas saj, ka paralizuar shtetin.

“Pas 10 viteve ne përballemi me një situatë që nuk ka lidhje me çfarë lexohet në letra, as me ato raportet që sapo dëgjuam. Ne kemi përjetuar pesë vite pa Gjykatë Kushtetuese dhe kemi jetuar me një sistem shtet arbitrar. Në këto vite kemi jetuar me mungesën e Gjykatës së Lartë. Do të thotë se ne kemi pasur një shtet në koma,” u shpreh ajo.

Topalli theksoi se mungesat në trupën gjyqësore dhe në prokurori kanë krijuar një situatë alarmante, ku ligji, siç tha ajo, “ka vdekur në zyrat e drejtësisë”.

“Nëse në një zyrë gjykate mungon gjykatësi, aty ligji vdes; nëse mungon prokurori, aty krimi jeton. Nëse një vendim gjyqësor e marrim pas 16 vitesh, kjo tregon se koha ka vrarë drejtësinë,” shtoi ajo.

Në përfundim, Topalli e cilësoi të pafalshme situatën aktuale të sistemit të drejtësisë, duke iu referuar edhe ngjarjeve të fundit në sallat e gjyqeve:
“S’na falet që një gjyqtar vritet në gjykatë. Kjo është pasqyra e një sistemi që ka humbur shpresën dhe autoritetin e tij.”