Vendosni fjalën kyçe....

Charles III i heq titullin e princit vëllait të tij, Andrew



Monarku britanik, Charles III, ka nisur procesin zyrtar për t’i hequr titullin e princit vëllait të tij, Andrew, i cili gjithashtu do të largohet nga rezidenca e tij në Uindsor dhe do të zhvendoset në Sandringam, përcjell REL.

Sipas një njoftimi nga Pallati Bukinghem, Andrew është pajtuar të largohet nga prona mbretërore, ndërsa lidhjet e tij me financierin e ndjerë Jeffrey Epstein – i dënuar për abuzime seksuale – vazhdojnë të shkaktojnë polemika.

Megjithëse Andrew mohon akuzat, pallati ka theksuar se ka pasur një “mungesë serioze të gjykimit” nga ana e tij.

Në deklaratën zyrtare thuhet se “princi Andrew nga tani do të njihet si Andrew Mountbatten Windsor”.
“Kontrata e tij e qirasë në pronën mbretërore deri më tani i kishte ofruar mbrojtje ligjore që të jetonte aty. Tashmë është dorëzuar njoftimi zyrtar për ta liruar pronën dhe ai do të zhvendoset në një pronë private. Këto masa janë vlerësuar të domosdoshme, pavarësisht faktit se ai vazhdon t’i mohojë akuzat ndaj tij”, u tha në njoftim.

Kujtojmë se në janar të vitit 2022, Andrew humbi titujt ushtarakë dhe patronazhet, pasi kishte dështuar të bindte një gjykatës amerikan që të hidhte poshtë padinë civile të ngritur ndaj tij nga Virginia Giuffre, e cila e akuzonte për abuzim seksual kur ajo ishte 17 vjeçe.

Edhe pse rasti u mbyll me marrëveshje jashtë gjykate, lidhjet e Andrew me Epstein ia dëmtuan rëndë reputacionindhe e detyruan të tërhiqej nga detyrat publike mbretërore.