
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi mazhorancën se i ka mohuar opozitës të drejtën kushtetuese për ngritjen e Komisioneve Hetimore Parlamentare, duke e quajtur këtë një akt antikushtetues dhe sulm ndaj parimeve të demokracisë.
Në një prononcim për mediat, Berisha tha se qeveria po pengon hetimin e zgjedhjeve të 11 majit, që sipas opozitës janë “më të damkosurat në Europë”, si dhe hetimin e çështjes “McGonigal”, ku ai pretendon se përfshihet direkt kryeministri Edi Rama.
“Pseudo-mazhoranca, në mënyrën më antikushtetuese, i mohoi opozitës të drejtën themelore për ngritjen e Komisioneve Hetimore. Kjo është një e drejtë e pakicës, e garantuar nga Kushtetuta dhe e konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese,” tha Berisha.
Ai akuzoi Ramën se është i përfshirë në “skandalin McGonigal”, duke përmendur se ish-agjenti i FBI-së “ka marrë para përmes ndërmjetësve të Ramës dhe është përfshirë në aktivitete të dyshimta, përfshirë edhe ndërhyrje në procesin e drejtësisë dhe bizneset me interesa ruse”.
“Dosja fakton se Edi Rama i dha paratë McGonigalit që të merrej me opozitën. Ai citohet 13 herë në dokumentet e hetimit dhe ka bashkëpunuar ngushtë me të në çështje që përfshijnë korrupsion, ndikim në reformën në drejtësi dhe manipulime politike,” shtoi Berisha.
Lideri demokrat tha se opozita kishte kërkuar ngritjen e dy komisioneve hetimore — një për zgjedhjet e 11 majit dhe një tjetër për çështjen McGonigal — por mazhoranca i ka rrëzuar të dyja kërkesat.
Berisha paralajmëroi se opozita do të mblidhet për të vendosur mbi hapat e ardhshëm, duke theksuar se “hapësira për opozitën në parlament është bërë fiktive” dhe se “qytetarët do të jenë ata që do të thonë fjalën e fundit”.