Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi: Peleshi qëndron në detyrë si Kryevartës i Taulant Ballës, jo si Kryetar i Kuvendit të 140 deputetëve


Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, reagoi pas votës së mazhorancës kundër shkarkimit të Niko Peleshit, duke e cilësuar atë “Kryevartës të Taulant Ballës” dhe jo kryetar të Kuvendit të 140 deputetëve.

Bardhi vuri në dukje se Peleshi hyri në histori si kryetari për të cilin kërkohej shkarkimi pa mbushur as një muaj në detyrë, duke përmendur se u zgjodh me 85 vota dhe mbeti në detyrë me 79 vota një muaj më vonë, duke e cilësuar këtë arritje si të papërshtatshme për një funksionar kushtetues.

“Niko Peleshi mund të vazhdojë të qëndrojë në detyrë me votën e 79 memec-deputetëve, por ai vazhdon në këtë funksion si Kryevartës i Taulant Ballës, jo si Kryetar i Kuvendit të 140 deputetëve.

Ai hyri tashmë në historinë e parlamentarizimit të vendit si Kryetari për të cilin u kërkua shkarkimi nga detyra pa mbushur as një muaj në detyrë.

U zgjodh me 85 vota e u mbajt në detyrë me 79 vota një muaj më vonë. Këtë arritje historike në vetëm 1 muaj mund ta ketë vetëm një funksionar kushtetues i paaftë dhe i padenjë për një detyrë të lartë shtetërore”, thuhet në reagimin e Bardhit.