
Pesë persona të tjerë janë arrestuar në lidhje me grabitjen e bujshme të bizhuterive të kurorës nga Muzeu i Louvre-it në Paris, ku më 19 tetor u morën sende me vlerë rreth 88 milionë euro.
Arrestimet u kryen mbrëmjen e së mërkurës në rajonin e Parisit, përfshirë periferinë Seine-Saint-Denis, gjatë bastisjeve të koordinuara nga autoritetet franceze, përcjell BBC.
Sipas prokurores publike Laure Beccuau, një nga të arrestuarit dyshohet se është pjesë e grupit prej katër personash që kreu grabitjen, të identifikuar më herët përmes kamerave të sigurisë.
Dy prej tyre janë tashmë në paraburgim dhe kanë pranuar pjesërisht përfshirjen në ngjarje, ndërsa personi i katërt mbetet ende në kërkim.
Beccuau tha se roli i pesë të arrestuarve të rinj nuk është ende i qartë, por hetuesit shpresojnë se ata mund të ndihmojnë në zbardhjen e mënyrës se si u organizua dhe u ekzekutua grabitja. Gjatë bastisjeve, policia gjeti telefona dhe objekte të tjera që po analizohen për mesazhe të koduara.
Njëri prej të arrestuarve ka lënë gjurmë ADN-je në vendin e ngjarjes, sipas Beccuau: “E kishim në shënjestër,” tha ajo, duke theksuar se arrestimet nuk lidhen me deklaratat e të ndaluarve të mëparshëm, por me elementë të rinj të hetimit.
Grabitja ndodhi në orën 09:30 të mëngjesit, pak pas hapjes së muzeut për vizitorët. Katër persona përdorën një vinç mekanik të vjedhur për të hyrë në Galerinë e Apollonit përmes një ballkoni pranë lumit Seine.
Me ndihmën e një disku prerës, ata thyen vitrinat dhe morën tetë objekte të çmuara, përfshirë një tiarë të perandoreshës Eugenie dhe varësen Marie-Louise.
Ata u larguan pas vetëm katër minutash, duke përdorur dy skuterë dhe më pas makina për t’u zhdukur në drejtim të lindjes.
Drejtori i Louvre-it ka pranuar se kamera e vetme që monitoronte galerinë nuk ishte e drejtuar nga ballkoni ku ndodhi hyrja, duke nxjerrë në pah dështimin e protokolleve të sigurisë. Ministri francez i Drejtësisë e ka cilësuar incidentin si një dështim të rëndë institucional.
Pas grabitjes, muzeu ka transferuar disa nga bizhuteritë më të vlefshme në Bankën e Francës, ku do të ruhen në kasafortën më të sigurt të institucionit, 26 metra nën tokë. Hetimet vazhdojnë, ndërsa autoritetet dyshojnë se rrjeti kriminal përfshin më shumë persona sesa ata që kryen fizikisht vjedhjen.