Vendosni fjalën kyçe....

Trump pritet me kurorë të artë në Korenë e Jugut, marrëveshje 350 miliardë dollarë për investime dhe ndërtim anijesh


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u prit me një kurorë të artë nga presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, gjatë vizitës së tij në Busan për samitin e APEC.

Dhurata simbolike, një kopje e kurorës së mbretërisë antike Silla, u bë në kuadër të përpjekjeve për të zhbllokuar një marrëveshje të madhe tregtare prej 350 miliardë dollarësh mes dy vendeve.

Sipas zyrtarëve koreanë, marrëveshja përfshin 200 miliardë dollarë investime financiare dhe 150 miliardë dollarë bashkëpunim në industrinë e ndërtimit të anijev, përcjell The Guardian.

Trump e konfirmoi marrëveshjen, duke thënë: “Ne e arritëm marrëveshjen, pothuajse e finalizuam.”

Vizita e Trump në Azi ka qenë e mbushur me takime të nivelit të lartë dhe dhurata luksoze, përfshirë dekoratën më të lartë të Koresë – Urdhrin e Madh të Mugunghwa.

 Ai pritet të takohet me presidentin kinez Xi Jinping në Gyeongju, ku do të diskutohet një marrëveshje për uljen e tarifave dhe zbutjen e luftës tregtare SHBA–Kinë.

Trump ka paralajmëruar uljen e tarifës 20% ndaj produkteve kineze të lidhura me prodhimin e fentanilit sintetik, duke e cilësuar marrëveshjen e ardhshme si “një sukses për të dyja palët”.

Megjithatë, përparimi diplomatik me Korenë e Veriut duket i largët, pasi Trump tha se nuk u arrit të caktohej një takim me Kim Jong-un.

Ndërkohë, Koreja e Jugut përballet me tarifa të larta prej 25% për automjetet e saj, ndërsa kërkon reforma në sistemin amerikan të vizave pas një bastisjeje në një fabrikë të Hyundai në Georgia, ku u ndaluan mbi 300 punëtorë koreanë.

Vizita e Trump në Japoni përpara ndalesës në Korenë e Jugut rezultoi në angazhime investimi deri në 490 miliardë dollarë, ndërsa ai njoftoi projekte të reja energjetike dhe teknologjike të financuara nga Japonia.