
Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se armëpushimi në Gazë – i mbështetur nga Uashingtoni – nuk është në rrezik, pavarësisht sulmeve ajrore izraelite që lanë pas të paktën 50 viktima, përcjell REL.
Sulmet u kryen të hënën në enklavën palestineze, pasi Izraeli akuzoi Hamasin për shkelje të armëpushimit të ndërmjetësuar nga vetë Trump tre javë më parë. Sipas agjencisë për mbrojtje civile në Gazë, mes viktimave kishte 22 fëmijë, si dhe gra e të moshuar, ndërsa rreth 200 persona të tjerë u plagosën.
“Siç e kuptova, ata vranë një ushtar izraelit,” tha Trump për gazetarët në bordin e avionit presidencial. “Izraelitët u kundërpërgjigjën dhe ata duhet të kundërpërgjigjen. Kur diçka e tillë ndodh, ata duhet të reagojnë,” shtoi ai.
Izraeli konfirmoi vdekjen e një ushtari të tij, ndërsa kryeministri Benjamin Netanyahu njoftoi se kishte urdhëruar “sulme të menjëhershme dhe të fuqishme”.
Megjithatë, Trump këmbënguli se “asgjë nuk do ta vë në rrezik” armëpushimin. “Duhet ta kuptoni se Hamasi është një pjesë e vogël e paqes në Lindjen e Mesme dhe ata duhet të sillen mirë,” tha ai.
Marrëveshja e armëpushimit, që hyri në fuqi më 10 tetor me ndërmjetësimin e SHBA-së, ndali luftimet dyvjeçare të nisura pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023. Që nga ajo kohë, të dyja palët janë akuzuar për shkelje të marrëveshjes.
Nga ana tjetër, Hamasi mohoi të ketë kryer ndonjë sulm ndaj forcave izraelite dhe tha se vazhdon të respektojë plotësisht armëpushimin.