
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të qeverisë për gjendjen ekonomike në vend, duke thënë se propaganda zyrtare është në kundërshtim të plotë me realitetin e përditshëm të qytetarëve.
“Qeveria që gjithë ditën fabrikon shifra e merret me propagandë, sot ankohet pse i referohemi shifrave të Eurostatit,” tha Tabaku, duke theksuar se raporti i Eurostatit pasqyron qartë vështirësitë e shqiptarëve për të përballuar jetesën.
Sipas saj, 55% e qytetarëve nuk arrijnë ta mbyllin muajin, ndërsa 40% e buxhetit familjar shkon vetëm për ushqim. “Ekonomia familjare është goditur nga të ardhurat në rënie, taksat e rritura dhe çmimet e larta të produkteve bazë,” u shpreh deputetja demokrate.
Ajo shtoi se zhvlerësimi i euros me rreth 30% dhe inflacioni i lartë në ushqime kanë ndikuar ndjeshëm në uljen e mirëqenies, ndërsa remitancat janë në rënie.
“Është fakt: shqiptarët sot janë më të varfër. Shqipëria sot është më e varfër, sepse është e vjedhur,” përfundoi Tabaku, duke akuzuar qeverinë se ka humbur lidhjen me realitetin dhe po jeton në botën e propagandës.