Ndarja e tregut të sigurimit të detyrueshëm motorik për përgjegjësitë ndaj palëve të treta është pothuajse e pandryshuar edhe këtë vit.
Sipas informacionit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) për 9-mujorin 2025 tregu i këtij produkti kryesohet nga Sigal, me 20.64% të primeve të shkruara bruto, nga 20.6% që mbante një vit më parë. Ndjek Eurosig, me 15.19% (nga 15.25% një vit më parë) dhe Sigma, me 14.59% (nga 14.6% një vit më parë).
Edhe për kompanitë e tjera, ndryshimi i pjesës së tregut është i papërfillshëm krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Problemi i konkurrencës në tregun e TPL-ve u ngrit edhe këtë vit gjatë raportimeve në Kuvendin e Shqipërisë nga AMF dhe Autoriteti i Konkurrencës. Deputetët nënvizuan se ngrirja e ndarjes së tregut mes kompanive për këtë produkt është një fakt që tregon mungesën e konkurrencës efektive në treg.
Që prej vitit 2013, policat e sigurimit TPL shiten përmes sistemit të një brokeri të vetëm. Ato mbajnë logon e Byrosë Shqiptare të Sigurimit (ent që në fakt është përgjegjës për administrimin e Kartonit Jeshil dhe Fondit të Kompensimit), ndërsa në dokument përcaktohet kompania në përgjegjësinë e së cilës lëshohet polica.
Çmimet e sigurimit TPL janë të përafërta për të gjitha kompanitë. Një gjë e tillë ndodh edhe pas hyrjes në fuqi të rregullores së re, që parashikon diferencimin e tarifave sipas disa faktorëve rreziku. Sipas llogaritësve automatikë në faqet e kompanive të sigurimit, çmimi minimal i sigurimit të detyrueshëm të mjetit ka një diferencë prej më pak se 2% mes tyre.
Ndërkohë, primet e rrezikut (primet mbi bazën e të cilave kompanitë e sigurimit duhet të llogarisin fondet rezervë për riskun e marrë përsipër me produktin e sigurimit) të llogaritura nga kompanitë dhe të miratuara nga AMF kanë diferenca deri në 82% mes kompanive të ndryshme.
Sigurimi i brendshëm TPL ngelet shtylla kryesore e tregut të sigurimeve në vend. Sipas të dhënave nga AMF, për 9-mujorin 2025 primet e shkruara bruto nga ky produkt arritën në 10.5 miliardë lekë, në rritje me 14% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ato sollën 56.6% të primeve të shkruara bruto në tregun e sigurimit të jo-jetës, në rritje nga niveli prej 54.7% i një viti më parë. /Monitor