Kreu i Partisë së Lirisë Meta ka sulmuar nga qelia kreu e SPAK-ut Dumani teksa shkruan se provat amerikane janë “Tigrat e Bangladeshit të Kimetes”, një referencë për dy anijet e marra me qira nga Ministria e Infrastrukturës për prodhim energjie.
Ish-presidenti shton se mes LSI-së dhe kompanisë GSIS ka pasur një kontratë të hollësishme e mirëpërcaktuar mbi shërbimet që janë ofruar dhe pagesat.
“Provat “amerikane” të Dumanit janë si tigrat e Bangladeshit të Kimetes. Dje u shpërnda lajmi i “madh” për të njëqindën herë në mediat e regjimit nga SPAK-u i Duman zëmekurit një natë më parë në Kuvendin e Shqipërisë se kishte mbërritur prova “amerikane” kundër Ilir Metës me letërporosi nga matanë Atlantikut.
Dua të garantoj të gjithë qytetarët shqiptarë se “prova amerikane” kundër Metës është si tigrat nga Bangladeshi që solli Kimetja, që nuk prodhojnë energji për shqiptarët. Edhe kjo “provë” nuk prodhon dot as fakt penal dhe as fajësi për Ilir Metën.
Midis kompanisë GSIS dhe LSI ka patur një kontratë shumë të detajuar e të mirëpërcaktuar se si realizohej çdo shërbim dhe çdo pagesë dhe kjo është në dispozicion të SPAK-ut e do bëhet publike nga ne pas seancës paraprake të gjykimit.
Vija e kuqe e theksuar në këtë kontratë ishte respektimi i ligjit antikorrupsion në SHBA për të mos pranuar asnjë pagesë të parregullt.
Ndaj nëse është e vërtetë se GSIS ka pranuar pagesa nga biznesmeni shqiptaro-amerikan A.SH apo kushdo tjetër për llogari të LSI kjo i vlen vetëm drejtësisë amerikane për të proceduar kompaninë në fjalë për shkeljen e ligjeve amerikane por edhe të kontratës së nënshkruar me përfaqësuein e autorizuar të LSI në shkurt 2016.
Po kështu nëse kjo është e vërtetë edhe shtetasi A.SH e kushdo tjetër duhet të procedohet nga drejtësia amerikane për shkelje të ligjeve amerikane.
Nëse dikush nga LSI ka autorizuar shtetasin A.SH të bëjë veprime të tilla të paligjshme padiskutim që duhet të përgjigjet maksimalisht para ligjit shqiptar.
Por është e padiskutueshme që unë Ilir Meta, as kam autorizuar njeri dhe as kam patur dijeni për veprime të tilla dhe kjo do provohet në gjykatat shqiptare dhe amerikane,
Nëse prodhimi i lajmeve të tilla e ndihmon Dumanin të rregullojë frymëmarrjen e rënduar në Kuvend ia mirëkuptoj hallin, por nuk mund t’ia zgjidh dot unë.
Ai është mësuar të ngatërrojë ligjin me Maliqin, siç mund të ngatërrojë Amerikën me Bangladeshin dhe McGonigalin me Amerikën.
Verifikojini se mos letërporositë për Charles McGonigal i kanë mbetur në ishujt Azore se Hulusiu është i fortë në gjeografi.
E garantoj Dumanin se kjo histori nuk është një lojë “Kaladibrançe” dhe fundi i saj do jetë i merituar për këta mercenarë pa Atdhe dhe pa nder.”
