
Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu, deklaroi në Komision se janë konstatuar një sërë shkeljesh në fushën e koncesioneve, përfshirë mungesën e monitorimit dhe vijimin e pagesave edhe kur shërbimet nuk janë kryer sipas kontratës.
Sipas Shehut, në disa raste janë paguar shërbime të paplotësuara ose me volum më të ulët se sa parashikimi, ndërsa raportimet financiare kanë tejkaluar buxhetet e miratuara.
“Në fushën koncesioneve, janë konstatuar shkelje të kritereve të financimit, mangësi në monitorim dhe në vlerësimin e efekteve buxhetore afatgjata.
Në disa raste është vijuar me pagesa për shërbime që nuk janë kryer, ose që janë kryer në vëllime më të ulëta se projeksioni.
Fenomene të tilla janë vërejtur në kontrata të rëndësishme në fushën e shëndetësisë, ku raportimi i shpenzimeve ka tejkaluar buxhetet e miratuara dhe detyrimet janë likuiduar në kundërshtim me përmbajtjen kontraktore, përfshirë edhe TVSH-në”, tha ai.
Auditimet në sektorin e shëndetësisë kanë zbuluar gjithashtu probleme me menaxhimin e pajisjeve mjekësore, për shkak të mungesës së inxhinierëve bio–mjekësorë në spitale si QSUT dhe Spitali i Traumës, duke krijuar varësi nga shërbimet e jashtme dhe kosto të larta.
Shehu theksoi gjithashtu se kujdesi ndaj pacientëve me probleme të shëndetit mendor mbetet i pamjaftueshëm, ndërsa spitalet psikiatrike përballen me mungesa serioze në kapacitete dhe shërbime.
“Në sektorin e shëndetësisë, janë konstatuar problematika në menaxhimin dhe shpërndarjen e pajisjeve mjekësore, veçanërisht për shkak të mungesës se inxhinierëve bio – mjekësorë, në spitalet si QSUNT dhe Spitali i Traumës, duke sjellë varësi nga shërbimet e jashtme dhe kosto të larta dhe menaxhim të pasigurt të burimeve.
Po ashtu shpërndarja e pajisjeve nuk përputhet me nevojat reale të popullsisë. Përkujdesja për pacientët me probleme të shëndetit mendor mbetet e pamjaftueshme.
Auditimi evidentoi mungesën e një qasjeje, ndërsa spitalet psikiatrike përballen me mungesa serioze në kapacitetet e akomodimeve dhe shërbimeve”, tha Shehu.