Vendosni fjalën kyçe....

SHBA dhe Japonia nënshkruajnë marrëveshje për sigurimin e mineraleve kritike dhe tokave të rralla



Presidenti amerikan Donald Trump dhe kryeministrja e Japonisë Sanae Takaichi nënshkruan të martën një marrëveshje kuadër për sigurimin e furnizimeve me minerale kritike dhe toka të rralla, përmes projekteve të reja të nxjerrjes dhe përpunimit, njoftoi Shtëpia e Bardhë për Fox News.

Marrëveshja u arrit gjatë vizitës së Trump në Azi dhe takimit me udhëheqësen e parë grua të Japonisë, pjesë e përpjekjeve të përbashkëta për forcimin e zinxhirëve të furnizimit me elemente jetike për energjinë e rinovueshme, elektronikën dhe industrinë automobilistike.

Sipas deklaratës zyrtare, SHBA-ja dhe Japonia do të bashkërendojnë investimet dhe politikat për zhvillimin e tregjeve më të diversifikuara dhe transparente për këto materiale. Brenda gjashtë muajve, dy vendet do të identifikojnë dhe financojnë projekte të reja të minierave dhe përpunimit për elemente të rëndësishme si magnetët dhe bateritë.

Marrëveshja krijon gjithashtu një “Grup Reagimi të Shpejtë” për të identifikuar dobësitë në furnizim dhe për të koordinuar shpërndarjet emergjente të materialeve kritike.

Dy vendet u zotuan të përshpejtojnë proceset e lejeve për nxjerrjen dhe përpunimin e mineraleve dhe të adresojnë praktikat e padrejta tregtare ndërkombëtare.

Shtëpia e Bardhë tha se Uashingtoni dhe Tokio do të eksplorojnë mundësinë e krijimit të një sistemi të përbashkët rezervash strategjike dhe do të bashkëpunojnë me partnerë të tjerë për forcimin e sigurisë së zinxhirit të furnizimit.

Në deklaratën e përbashkët u theksua se bashkëpunimi do të zgjerohet me “partnerë me të njëjtin mendim”, një referencë ndaj Australisë dhe Bashkimit Evropian, për të krijuar një alternativë ndaj monopolit të Kinës në tregun e përpunimit të tokave të rralla.

Aktualisht, Kina përpunon mbi 90% të tokave të rralla në botë dhe së fundmi ka shtrënguar kufizimet e eksportitpër disa elemente strategjike, duke shkaktuar shqetësim në tregjet globale.

Gjatë takimit, kryeministrja Takaichi bëri thirrje për një “epokë të artë të re” në aleancën SHBA–Japoni dhe njoftoi se Japonia do t’i dhurojë 250 pemë qershie Uashingtonit vitin e ardhshëm, në kuadër të 250-vjetorit të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.

SHBA aktualisht ka vetëm një minierë aktive të tokave të rralla, ndërsa po përpiqet të sigurojë furnizime për makinat elektrike, sistemet e mbrojtjes dhe prodhimin e avancuar.

Si pjesë e turit të tij aziatik, Trump pritet të takojë presidentin kinez Xi Jinping të enjten.