Vendosni fjalën kyçe....

Meta reagon nga qelia pas provave të reja të SPAK: Asnjë letërporosi nuk provon shkeljet e mia


Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar nga qelia pas lajmit se SPAK ka dorëzuar prova të reja në procesin gjyqësor ndaj tij.

Në një mesazh publik, Meta ka hedhur poshtë pretendimet, duke i cilësuar si mashtrime të orkestruara për të justifikuar paraburgimin e tij.

“Dua të shpreh përbuzjen time publike për gjoja prova të reja që paskan ardhur nga ‘Amerika’ pas përfundimit të hetimeve. Kjo gënjeshtër e shpërndarë nga SPAK-u dhe prokurorët e provuar si shkelës të ligjit është një mashtrim për të justifikuar paraburgimin tim të paligjshëm dhe kriminal” – tha Meta.

Ai mohoi ekzistencën e çdo letërporosie që mund të vërtetojë shkelje ligjore nga ana e tij: “Asnjë letërporosi as ka ardhur dhe as mund të vijë që provon shkeljen e ligjeve shqiptare, amerikane apo ndërkombëtare nga Ilir Meta” – u shpreh ai.

Meta e cilësoi procesin si një përndjekje politike dhe një përpjekje për të goditur opozitën dhe pluralizmin në vend.

REAGIMI

Në respekt të anëtarëve dhe simpatizantëve të Partisë së Lirisë, por edhe të gjithë qytetarëve shqiptarë dua të shpreh përbuzjen time publike për gjoja prova të reja që paskan ardhur nga “Amerika” pas përfundimit të hetimeve.

Kjo gënjeshtër e shpërndarë nga SPAK-u dhe prokurorët e provuar si shkelës të ligjit dhe kamikazë të Kryekleptokratit, Edi Rama është një mashtrim për të justifikuar paraburgimin tim të paligjshëm dhe kriminal, si dhe për t’u dhënë mandate të përjetshme kamikazëve që janë provuar si garantë të pandëshkueshmërisë së Edi Ramës dhe armiq të betuar të opozitës dhe pluralizmit politik.

Shpreh bindjen e plotë se asnjë letërporosi as ka ardhur dhe as mund të vijë që provon shkeljen e ligjeve shqiptare, amerikane apo ndërkombëtare nga Ilir Meta apo pasjen time dijeni për shkelje të tilla të kryera nga njerëz të tjerë në Shqipëri, SHBA apo kudo tjetër.

E kemi thënë edhe më përpara se gjithçka është fund e krye një mashtrim.